Infermieret e vizitave në shtëpi që mbështesin familjet gjatë kohërave sfiduese

Ermira jeton në Gjilan dhe punon si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan. Ajo ka dëgjuar për programin Vizita në Shtëpi nëpërmjet kolegëve të saj të cilët janë trajnuar për ta zbatuar programin, por nuk ka marrë kurrë shërbime të tilla më parë.
Shtatzënia e saj shkoi mirë derisa lindi. Pak para se foshnja të lindte, ajo u testua për COVID-19 dhe rezultoi pozitive, edhe pse ajo nuk shfaqte simptoma serioze.
Pas rezultateve pozitive të COVID-19, mjekët thanë që ajo duhet të transferohet në Klinikën Gjinekologjike/Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Menjëherë pasi lindi foshnjën e saj, mjekët dhe mamitë e këshilluan që të izolohej prej foshnjës derisa të trajtohet nga COVID-19 dhe të tejkalojë fazën ngjitëse.

“Isha aq e frikësuar dhe e trishtuar që nuk mund të mbaja fëmijën tim dhe të ushqeja me gji”. – shpjegon në emocione Ermira.

Foshnja ia dhanë babait dhe hallës dhe ata u kthyen në shtëpinë e tyre në Gjilan.Bashkëshorti i i Ermires thirri infermieren në shtëpi dhe kërkoi ndihmë. Infermierja e “Vizitave në Shtëpi”, znj. Sebahate Haziri,menjëherë shkoi në shtëpinë e tyre dhe ndihmoi bashkëshortin e Ermirës se si të kujdesej për foshnjën e porsalindur, duke i dhënë këshilla praktike dhe informata për mënyrën e ushqyerjes së foshnjës, ndërrimin e pelenave etj.

Pas tre ditësh, Ermira u kthye në shtëpi dhe gjendja e saj emocionale ishte rënduar për shkak të ndarjes me të porsalindurin.
Ajo kishte nevojë për mbështetje se si ta ushqente me gji fëmijën e saj dhe kërkoi përsëri ndihmë dhe mbështetje nga infermieria e Vizitave në Shtëpi.

Ermira është shumë mirënjohëse për mbështetjen e madhe të infermierëve dhe mamive të programit të Vizitave në Shtëpi. “Isha shumë me fat që u këshillova në mënyrë kaq profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, thotë Ermira.

Vizitat në shtëpi është një program i Ministrisë së Shëndetësisë, i zbatuar nga Kujdesi Parësor Shëndetësor, mbështetur nga UNICEF në partneritet me Aksionin për Nënat dhe Fëmijët, përmes mbështetjes së Qeverisë së Luksemburgut. Programi synon të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, grave shtatzëna dhe familjeve nëpërmjet ofrimit të mbështetjes në shtëpi. Me dy vizita të cilat realizohen gjatë shtatzënisë dhe pesë vizita për fëmijët 0-3 vjeç, Vizita në shtëpi programi mbështet familjet në zbatimin e praktikave më të mira për një zhvillim të shëndetshëm të një fëmije, duke përfshirë vaksinimin e rregullt dhe mundëson identifikimin e hershëm e probelemeve të padiagnostikuara të fëmijërisë, ngecie në zhvillim e të tjera.