Tejkalimi i stresit dhe ankthit rreth ushqyerjes me gji: si po mbështesin infermieret e vizitave në shtëpi, zbatimin e praktikave më të mira për rritjen optimale të fëmijës

Arbëresha ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë. Tani vajza e saj Aria është pesë muajshe. Ajo fillon të tregojë se dy fëmijët e saj të tjerë i ka ushqyer me qumësht formulë për shkak të frikës së pamjaftueshmërisë me qumësht gjiri. Kur ajo u vizitua për herë të parë nga infermierja e vizitave në shtëpinë e saj, ajo fillon ti tregojë infermieres se po e ushqente me qumësht gjiri, por nga frika dhe stresi se fëmija nuk po ushqehej mjaftueshëm dhe po mbetet e uritur ajo po ashtu po e ushqente me ushqim shtese me qumësht formulë. Ndërsa ajo kishte shumë dëshirë që foshnjen ta ushqente me qumësht gjiri dhe i dinte mjaft mirë se sa i dobishëm dhe sa shumë benefite kishte qumështi i gjirit për zhvillimin e shëndetshëm të foshnjes.

Adelina Puka, infermiere e vizitave në shtëpi nga Gjakova, pasi dëgjoi shqetësimet e saj, menjëherë e këshilloi Arbëreshën të vazhdojë të ushqejë foshnjën me gji dhe të mos i japë qumësht formule sepse ushqyerja me gji në mënyrë të vazhdueshme do të ia largonte frikën që fëmija po mbetë i urritur.

Infermierja Adelina shpjegon se frika e nënave se fëmija mbetet i uritur teksa ushqehet ekskluzivisht me qumështi i gjirit është në fakt shumë e zakonshme dhe ndodh shpesh tek shumë nëna. Këto shqetësime janë më të zakonshme kur nënat kanë ankth, mungesë të përvojës me ushqyerjen me gji, apo mungesës së vetëbesimit, thotë ajo.

Modulet e trajnimit për vizitat në shtëpi rritin njohuritë e infermierëve dhe mjekëve për mbështetjen e nënave mbi praktikat e ushqyerjes me gji. Adelina duke përdorur aftësitë e saj dhe njohuritë e ofruara nga trajnimi e udhëzoi Arbëreshën se si të ishte e qetë dhe të përdorte teknika të frymëmarrjes për të reduktuar ankthin dhe për të shmangur mendime negative ndërsa është vetëm dhe e përqendruar vetëm në ushqyerjen me gji të fëmijës së saj. Gjithashtu, infermiere Adelina e ndihmoi nënën të përdorë pozicione të ndryshme për të qenë rehatshëm gjatë ushqyerjes me gji. Arbëresha ishte shume e kënaqur me këshillat e ofruara dhe mbështetjen e kujdesin që infermiere Adelina i kishte ofruar në këtë periudhë të vështirë të saj.

Programi Vizitat në Shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç është program i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili mbështetet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me Aksionin për Nëna dhe Fëmijë, përmes mbështetjes financiare të Qeverisë së Luksemburgut dhe po zbatohet nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

Përmes programit të Vizitave në Shtëpi ofrohen dy vizita gjatë gjithë shtatzënisë dhe pesë vizita për fëmijët 0-3 vjeç.  Programi i vizitave në shtëpi mbështet familjet në zbatimin e praktikave më të mira për një zhvillim të shëndetshëm të fëmijës, duke përfshirë edhe vaksinimin e rregullt, dhe mundëson identifikimin e hershëm të sëmundjeve të padiagnostikuara, vonesat në zhvillim apo edhe problemtika të tjera. Nga dhjetori 2022, programi Vizita në Shtëpi zbatohet në të gjitha komunat e Kosovës.