Historia e Erisës dhe Arbenit: Rëndësia e angazhimit të babait për të arritur potencialin maksimal të fëmijës

Kjo histori e veçantë vjen nga Lipjani, nga një fshat i vogël i quajtur Qylagë. Gjatë vizitave në shtëpi, infermieret nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare  vizituan shtëpinë e Arbenit për të bërë një kontroll rutinë për fëmijën e tij.

Përmes programit të vizitave në shtëpi, infermierët dhe mamitë ofrojnë mbështetje prindërve dhe familjeve për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

“Kjo vizitë ishte shumë e ndryshme nga të tjerat, thotë Lindita Bytyqi, infermierja e vizitave në shtëpi.”

Erisa lindi gjatë pranverës dhe tani është një vit e tetë muaj. Infermierja Lindita është shumë e lumtur kur e sheh babain Arbenin të angazhuar në kujdesin dhe rritjen e fëmiut.
Babai me krenari dhe lumturi na tregon se është përgjegjësia e tij të ketë një angazhim dhe pjesëmarrje të barabartë në kujdesin e fëmijëve. Ai ka një marrëdhënie shumë të veçantë me vajzën e tij Erisën, siç na rrëfen me emocion një histori kur ajo ishte e sëmurë dhe se si  kujdesej deri sa ajo u rikuperua plotësisht.

Angazhimi i baballarëve në zhvillimin e fëmijës është kritik për shëndetin dhe mirëqenien e një fëmije. Studimet tregojnë se fëmijët me baballarë shumë të përfshirë janë më empatikë; ata zhvillojnë miqësi më të mira, shfaqin më pak sjellje problematike dhe tregojnë rezultate më të mira në shkollë.

Në Kosovë, përfshirja e baballarëve në aktivitete me fëmijët e tyre është shumë e ulët; sipas Anketës së Grupimeve me Tregues të Shumëfishtë, vetëm një në 10 baballarë angazhohen me fëmijët e tyre në katër ose më shumë aktivitete që nxisin të nxënit dhe gatishmërinë për shkollë.
Programi i Vizitave në Shtëpi synon të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, grave shtatzëna dhe prindërve nëpërmjet ofrimit të vizitave në shtëpi. Nëpërmjet dy vizitave të kryera gjatë shtatzënisë dhe pesë vizitave për fëmijët 0-3 vjeç, infermieret e vizitave në shtëpi mbështesin familjet jo vetëm për aspektet që lidhen me shëndetin, por gjithashtu promovojnë praktikat më të mira për mirëqenien optimale të fëmijëve, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e babait.