Historia e dy zemrave luftarake – bebushet Eliana dhe Erina!
28.07.2022
Medlina Gaxherri sa u gëzua aq edhe pat habi kur kuptoi se priste binjakë. Brenga për shtatzëninë u përcjellë me shpresën se edhe kjo shtatzënia do i shkonte shëndetshëm porsi e para. Pas cdo kontrolle mjekësore ajo ndjehej më e sigurtë. Fetuset ishin të shëndetëshme e po zhvilloheshin sipas parametrave.
Edhe shëndeti i nënës vazhdonte të ishte i mirë. Por, brengat e Medlinës do shtoheshin dikur kah muaji i gjashtë i shtatzanisë.
‘‘Krejt mirë ke deri qat ditë’’, thotë Medlina, përderisa kujton 23 qershorin 2022.
Medlina atë ditë pati gjakderdhje dhe u shtrua në spitalin e Gjakovës. Pas disa ditëve, mjekët sugjeruan transferimin e saj drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë; duhej trajtim më i specializuar mjekësor, pasi rjeta e fetuseve rrezikohej seriozisht.
Medlina lindi Elianën dhe Erinan në javën e 33-të të shtatzënisë.
‘’Vec ditën e parë i kam pa pak [foshnjet], edhe m’i kanë marr tani’’, kujton Medlina momentet e pas lindjes, përderisa shton që për nga shëndeti ishte e dërmuar.
Mjekët e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK ishin edhe më të brengosur për shëndetin e të sapolindurave. Pesha e ulët – njëra 1800 gr e tjetra dic më shumë se 1400 gr – dhe lindja e tyre e parakohshme cënonin jetën e binjakëve.
Ndër problemet e shpeshta shëndetësore dhe cka rrezikon seriozisht jetën e foshnjave të lindura para kohe është mungesa e Surfakant-it. Foshnjat që përballen me probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të Surfaktant-it – shtresë e lëngshme brenda mushkërive.
Zakonisht deri disa javë pas lindjes tek foshnjat nuk fillon prodhimi i surfakantit.
Pa sasi të mjaftueshme të Surfaktant-it vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS.
‘‘Foshnjat ishin të ‘papjekura’. Mjekët menjëherë nisën trajtimin me Surfaktant. Nuk di cka kishin ba foshnjat pa këtë medikament. Ndikon jashtëzakonisht shumë ky medikament në pjekjen e mushkërive të bebeve’’, thotë infermieria Sabrie Ahmeti, pjesë e ekipës mjekësore që u përkujdesë për shëndetin e foshnjave.
Infermieria Ahmeti shton se Surfaktant-i është treguar jetik për foshnjat e lindura para kohe, sidomos tek foshnjat e lindura para kohe dhe që kanë peshë nën 1500gr.
Infermierja Ahemti thekson se stafi mjekësor i Klinikës së Neonatologjisë është i lehtësuar pasi është bërë i qasshëm Surfaktanti në trajtimin e foshnjave të lindura parakohe.
‘‘Mungesa e medikamentit [Surfakant] kish ra barrë e familjeve, shtoja këtu që kushton shtrenjtë. Por edhe neve [si staf mjekësorë] na kish rëndu jashtëzakonisht shumë punën. Por mbi të gjitha, trajtimi mjekësor i bebeve do ishte stërgjatë. Besoj që edhe vdekshmëria do ishte rritur dukshëm tek foshnjët e lindura para kohe’’, thotë infermieria Ahmeti.
Tashmë janë bërë 10 vite prej se Kosova nuk përballet me mungesë të Surfaktantit.
AMC përmes bashkëpunimit të suksesshëm me organizatën ndërkombëtare AmeriCares përgjatë këtyre viteve ka arritur të jep donacione të Surfaktantit në Kosovë. Donacionet e AMC për furnizimin me Surfaktant tashmë mbulojnë nevojat kombëtare në Kosovë për trajtimin e foshnjave të lindura para kohe dhe atyre nën peshë.
Tashmë është e dokumentuar se jetët e më shumë se 5000 foshnjave në Kosovë janë shpëtuar si rezultat i përdorimit të Surfaktant-it dhe përdorimin e SiPAP; donacione këto të AMC-së. Përgjatë vitit 2021 në Klinikën Neonatologjisë janë lindur 8,879 foshnje. Në këtë klinikë të QKUK-së, për trajtim më të specializuar mjekësorë janë sjellur edhe afër 600 foshnja tjera. Nga të gjitha, afër 800 prej tyre kanë qenë nën peshë, apo janë lindur parakohe.
‘‘Nisur nga përvoja ime dhe rastet ku kam qenë e përfshirë, besoj se tek të gjitha këto foshnje ‘premature’ është përdorë Surfaktanti’’, thotë infermieria Ahmeti.
Infermierja Ahmeti me mbi 30 vite përvojë pune përmend edhe njëherë foshnjet e Medlinës dhe shton rëndësinë e bashkëpunimit të Klinikës së Neonatologjisë dhe AMC-së.
‘‘Mos të harrojmë se bebet [e Medlinës] janë trajtuar edhe me sistemin e oksigjenit për katër ditë dhe kanë përdorë CPAP për tri ditë tjera’’, thotë infermieria Ahmeti, e cila shton se foshnjat qëndruan edhe në inkubatorë, dhe për të qenë e sigurtët për ditët shkon dhe e pyet Medlinën.
‘‘Nëntë ditë’’, është përgjigja e Medlinës për ditët sa foshnjet e saja qëndruan në inkubator.
Insistimi i infermieres Ahmeti për të përmendur Sistemin e Oksigjenit, SiPAP-in, e pastaj inkubatorët është tek fakti se Klinika e Neonatologjisë këto mjete mjekësore i ka siguar nga donacionet ndër vite të AMC-së.
Nga donacionet e AMC-së janë rreth 2000 foshnje që përdorin Sistemin Oksigjenit çdo vit, pastaj nëpër klinika të QKUK-së ndër vite janë dhuruar medikamente në vlerë 2,642,311 euro. Vetëm nga përdorimi i Surfaktan-it dhe SiPAP– donacion i AMC-së – janë shpëtuar mbi 5000 jetë të foshnjave në Kosovë. Ndërsa inkubatorët janë përdorur nga më shumë se 4,000 foshnje.
AMC-ja ka dhuruar pajisje mjekësore me vlerë prej 211,306 euro në QKUK viteve të fundit.
Sot Eliana dhe Erina janë në gjendje të mirë dhe janë pranë nënës së tyre. Shëndeti i tyre është përmirësuar dukshëm dhe qëndron tek parametrat normale të foshnjeve. Tashmë Eliana dhe Erina tashmë janë në shtëpi pranë motrës së tyre të madhe dhe dy prindërve.
AMC-ja vazhdon të jetë e përkushtuar në misionin e saj për shpëtimin e jetëve dhe përmirësimin e shëndetit të foshnjëve, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. E për t’u arritur kjo duhet zbatim i projekteve e programeve të ndryshme që kanë ndikim të madh e të qëndrueshëm në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe ku ofrohen zgjidhje afatgjata.
‘‘Nuk di cka kishëm ba’’, thotë infermiera Sabrie Ahmeti kur pyetet se po të mungonte Surfaktant-i cdo të bënin, e, po ashtu, përmend se pajisjet mjekësore që kanë pranuar si donacion nga AMC-ja u kanë lehtësuar përgjysmë sfidat në trajtimin e foshnjave dhe nënave.