Hapet Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Mitrovicë

Prishtinë, 27 prill 2016-

Në një ceremoni zyrtare sot, u hap Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë. Në këto qendra informuese këshillat individuale dhe grupore ofrohen në një ambient shumëngjyrësh, privat dhe të rehatshëm për gratë dhe partnerët e tyre. Pjesëmarrëset marrin edukimin esencial në ushquyeshmërinë gjatë shtatzanisë, fazat e shtatzanisë, përgatitjen fizike dhe psiqike për lindje, kujdesin ndaj të posalindurit dhe gjidhënien. Në këto Qendra mbahen edhe ushtrimet fizike për lindje.

Në ceremoninë e hapjes sot, Ministri i Shëndetësisë, Z. Imet Rrahmani, bëri hapjen zyrtare të dyerve të Qendrës Informuese dhe theksoi rëndësinë e edukimit shëndetësor. “Shëndeti i nënës dhe fëmijës është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qendrat e tilla informuese janë esenciale për edukimin e grave dhe partnerëve të tyre për shtatzaninë dhe lindjen, si dhe shëndetin riprodhues,” – shton Rrahmani. Njëkohësisht Z. Rrahmani falenderoi “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë” për punën që po e bënë për shëndetësinë kosovare.

“Kjo qendër sot shënon pikën e 5-të të lokacionit të kësaj inicative të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë. Deri më tash, rreth 2,500 gra kanë përfituar nga përkrahja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Muajin e kaluar themeluam Qendrën në Shtërpcë, ndërkaq një vit më parë dy në Prishtinë e një në Ferizaj” – deklaron Mrika Aliu, Drejtoreshë Ekezkutive e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Hapja e Qendrës Informuese në Mitrovicë përkrahet nga Ambasada e Australisë dhe zgjerimi i aktiviteteve të këtij programi mundësohet falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët.” Programi edukativ i Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Solidar Suisse Kosova.