Pajisjet e fotollampave dorëzohen në Repartin Neonatologjik në QKUK

Prishtinë, 04 prill 2016-

Sot ishim pranë Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK dhe bëmë dorëzimin solemn të fotollampave, pajisje këto esenciale për të trajtuar verdhëzën tek foshnjet. Këtë herë u dhuruan 5 fotollampa.

Verdhëza është një problematikë e shpeshtë tek foshnjet. Shkaktohet për shkak të rritjes së nivelit të bilirubinës në gjak. Rreth gjysma e të posalindurve të lindur në kohë dhe 75% e foshnjeve të lindura para kohe manifestojnë verdhëz në ditët e para të jetës. Fototerapia është një mënyrë joinvazive e trajtimit të verdhëzës e cila realizohet me anë të pajisjeve të quajtura fotollampa.

“Ndihma që po na vjen nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë përmes shumë miqve e donatorëve të tij po e lehtëson punën tonë në Klinikën e Neonatologjisë. Ne ballafaqohemi çdo ditë me nevoja të ndryshme dhe asnjëherë s’na humb vullneti për t’punuar në shpëtimin e më të vegjëlve tanë,” thekson Dr. Mynevere Hoxha, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.

Ndërkaq Arta Hasanaj, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, thekson se “ne jemi të përkushtuar ndaj ofrimit të ndihmës sonë për shpëtimin e jetës së fëmijëve tanë dhe gjithmonë fokusohemi në zgjidhjen e problemeve që na adresohen nga Klinika. Është kënaqësi të bëjmë dorëzimin solemn të fotollampave sot dhe kjo na motivon të punojmë edhe më shumë për të përmbushur nevojat e kësaj Klinike” – shton Hasanaj.

Blerja dhe dorëzimi i fotollampave sot bëhet e mundur falë donacioneve të mbledhura nga ngjarjet për ngritje fondesh të vitit 2015: “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” dhe “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët.”