Mbahet takimi inicues i Koalicionit të Organizatave për Shëndet dhe të Drejta Riprodhuese

Prishtinë, 12 maj 2016-

U mbajt takimi inicues i Koalicionit të Organizatave për Shëndet dhe të Drejta Riprodhuese në Prishtinë, nismë kjo e mbështetur nga zyra e UNFPA-së në Kosovë dhe koordinuar nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.”

Organizatat pjesëmarrëse, e njëherit dhe anëtaret fillestare të Koalicionit, përfshijnë:  AHED, Artpolis, Health for All, Jeta/Vita, KOPF, Peer Educators Network (PEN), Rrjeti i Grupit të Grave, Shoqata për të Drejtat e Pacientit (PRAK), Shoqata Kosovare për Promovimin, Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve, dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF).

Ky Koalicion, aktualisht në procesin e themelimit, synon të përmirësoj politikat, infrastrukturën ligjore dhe ngrisë vetëdijen qytetare mbi shëndetin riprodhues dhe të drejtat mbi shëndet riprodhues në Kosovë përmes një pune të rregullt avokuese të bazuar në evidencë. Koalicioni do të shërbejë si një trup avokues i pavarur dhe monitorues për politikat dhe ligjet e shëndetit riprodhues dhe të drejtat mbi shëndetin riprodhues.

Shëndeti riprodhues përkufizohet si gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale e sistemit riprodhues dhe nuk definohet vetëm si çrregullim i funksionit apo aftësisë riprodhuese. Ndërkaq të drejtat riprodhuese, midis tjerash, përfshijnë të drejtën e individëve që të vendosin lirshëm mbi numrin, shpeshtësinë dhe kohën e riprodhimit, të drejtën që të kenë qasje në informata, edukim seksual, komunikim, programe parandaluese të sëmundjeve malinje të sistemit riprodhues, amësinë e sigurtë, dhe tjera. Ndonëse Kosova gëzon ligjin bazë për shëndetin riprodhues, Koalicioni konsideron që duhet të punohet më tepër në drejtim të implementimit, monitorimit dhe vlerësimit të ligjit, paralel promovimit të të drejtave të shëndetit riprodhues.