Hapet Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Ferizaj

Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Ferizaj, në Qendrën e Mjekësise Familjare II  – iniciativë kjo e bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Ferizajit, Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe mbështetjes së Dartmouth-Hitchcock Foundation.

Në hapjen e qendrës në Ferizaj, Dr. Burim Karameta – drejtor i DSHMS-së theksoi se një qendër e tillë është shumë e rëndësishme për institucionet e shëndetit dhe edukimin e femrave dhe partnerëve të tyre rreth shëndetit riprodhues. Me këtë rast Dr. Karameta theksoi mbështetjen e fuqishme të DSHMS-së dhënë kësaj iniciative të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe stafit të QMF II në Ferizaj. Edhe Dr. Asllan Bajrami, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj theksoi se nismat e tilla janë gjithmonë të mirëseardhura për të përmirësuar kualitetin e shëndetit të nënës dhe fëmijës dhe stafi i QMF-së II është i hapur të angazhohet në zhvillimin e aktiviteteve të qendrës. Ndërkaq, përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë deklaroi se themelimi i një qendre të tillë është bërë i mundshëm përmes punës dhe mbështjetjes së miqve Amerikanë dhe do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe atyre psiqike për gratë si dhe partnerët e tyre, aktivitete këto të zhvilluara në një ambient interaktiv modern e me shumë ngjyra.

Një muaj më parë Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas u hap zyrtarisht pranë Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare IV në Prishtinë, dhe sot u themelua edhe qendra e 3-të në Ferizaj. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë synon të zgjerojë qendrat e tilla informuese për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre edhe në komuna të tjera të Kosovës që të ndihmojë në ngritjen e edukimit shëndetësor në vend.

Hapja e qendrës sot në Ferizaj u mbyll me një koktej rasti dhe në prezencë të mediave.