Dy Qendra Informuese të Shëndetit të Gruas u hapën në Prishtinë
15.02.2015
Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në QKUK dhe Qendra e Mjekësise Familjare 4 në Prishtine, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Qendra të tilla janë bërë të mundshme me bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar në Kosovë, Komunës së Prishtinës dhe Fondacionit Dartmouth-Hitchkok.
Në hapjen e qendrës në QKUK, Dr. Imet Rrahmani, Ministër i Shëndetësisë në Republikën e Kosovës, theksoi se një qendër e tillë është shumë e rëndësishme për institucionet tona të shëndetit. “Ministria ka mbështetje nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës në Kosovë”. Dr. Curr Gjocaj, Drejtor Ekzekutiv në SHSKUK theksoi se prioritet kryesor është përmirësimi i shëndetit të nënës dhe fëmijës si dhe një qendër e tillë që ofron edukim shumë të nevojshëm është shumë e rëndësishme.
Znj. Ardiana Bunjaku, Kryetare e Bordit të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë deklaroi se themelimi i një qendre të tillë është bërë i mundshëm përmes punës dhe mbështjetjes së miqve Amerikanë dhe do të ofrojë këshillim dhe shërbime edukative për gratë si dhe partnerët e tyre.
Dr. Myrvete Pacarada, Drejtoreshë e Repartit të Gjinekologjisë në QKUK gjithashtu shprehi mirenjohjen e saj për Aksionin, për bërjen të mundshme të një infrastrukture të tillë për edukimin e gruas.
Në hapjen në Qendrën e Mjekësisë Familjare 4, Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dr. Arben Vitia vuri në pah se shëndeti riprodhues është baza e një shoqërie të shëndetshme dhe si e tillë, është detyra jonë që të sigurohemi për dhënien e sigurtë të informacionit dhe edukimit.
Eventet e hapjes janë mbyllur me nje koktej dhe tërhoqën vëmendje masive të medias.