Mbi 30 patologë nga Instituti i Patologjisë janë trajnuar në Citologjinë e Vezorëve

Prishtinë, 28 Qershor 2017-

Gjatë një periudhe dy ditore, patologët nga Instituti i Patologjisë në Spitalin dhe Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës patën mundësinë të kalojnë trajnimin e dytë intensiv të organizuar në kuadër të Programit Kombëtar për Skriningun e Kancerit të Qafës së mitrës, i cili është një komponent i rëndësishëm I programit të skriningut dhe shërben si trajnim dhe edukim mjekësor i  vazhdueshëm i stafit mjekësor nga të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor. Ky ishte një vazhdim i trajnimit të parë që kishim organizuar gjatë periudhës 2-17 Shkurt, për patologët dhe teknikët e Institutit të Patologjisë, përsëri nën trajnimin dhe mbikëqyrjen profesionale  të specialistës së citologjisë klinike dhe mjekës Merdita Agai Muhaxhiri.

Patologët patën mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë rreth zhvillimeve të reja në fushën e citologjisë klinike, gjatë kryerjes së demonstrimeve praktike në mjedise reale të punës, mbi tema të ndryshme duke përfshirë citologjinë e vezorëve, citidagnostikën në distension abdominal, imunocitologjinë në diagnozën diferenciale të tumoreve të vezorëve dhe ndryshimet citologjike në lëngun Douglas në kancerin e qafës së mitrës.

Aksioni për Nënat dhe Fëmijët dhe partnerët tjerë zbatues patjetër se do të japin mbështetjen e tyre të vazhdueshme në zbatimin dhe promovimin e programit kombëtar të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si një e drejtë e ligjshme e garantuar me ligj për të gjitha gratë.

Ky pilot projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Bordit Kombëtar për Kontrollin e Kancerit, Qendrës për Gratë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutiti të  Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) – Zyra e Kosovës, Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) – Zyra në Kosovë.