8 Mars 2019, Prishtinë

Sot u lansu linja për gra shtatzëna të dizajnuara nga kreatorja nga Nju Jorku ‘Besë’ për dyqanin e bamirësisë Teshavesha, lansim ky i cili u mbajt në formë të koktelit në Besë Studio.  Linja e rrobave për gra shtatzëna është prodhuar duke përdorur materiale me përbërje organike në mënyrë që të jenë sa më e rehatshme dhe të shëndetshme për nënën.  Ky koleksioni i veshjeve është i përshtatshëm për veshje gjatë shtatzanisë, mirëpo edhe për gra jo-shtatzëna.

‘’Është ndjenjë e jashtzakonshme të krijosh vlerë për komunitetin përmes artit. Zhvillimi i kreacioneve për gra shtatzëna ka qenë një proces shumë frymëzues për ne duke gërshetuar nevojën e tregut me kauzën humanitare për shëndet më të mire të grave në Kosovë, ne sot mezi presim të ndajmë punën tonë me komunitetin,” – tha Besë.

Fondet e mbledhura nga shitja e këtij koleksioni do të financojnë programet të cilat ndihmojnë në përmisimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë, si: blerja e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, zhvillimi i sistemit të referimit neonatal dhe zhvillimi i qendrave informuese për shëndetin e gruas “Klasat për Nëna”.

Ambasadore e linjës besë x teshavesha është modelja e mirënjohur, Diellza Kolgeci, e cila si nënë në pritje, iu bashkua fushatës me shumë entuziasëm dhe përkushtim për të ndihmuar nënat dhe fëmijët në vend.  “Të jem pjesë e kauzave humanitare si kjo, me bën të ndihem e lumtur dhe me fat që kam fuqinë dhe vullnetin të ndihmojë të tjerët. Ketë 8 Mars po e festojmë së bashku duke ju sjellë dicka të bukur dhe unike, dhe në të njejtën kohë duke ndihmuar në shpëtimin e jetëve të nënave dhe foshnjeve në Kosovë,” theksoi Kolgeci.

Teshavesha është ndërrmarje sociale e cila ka për mision riciklimin e tekstilit për të ngritur fonde të cilat ndihmojnë të ulin normën e shkallës së vdekshmërisë së foshnjeve në vend si dhe për të përmirësuar shërbimet shëndetësore të ofruara për nënat dhe fëmijët. Teshavesha riciklon rreth 2,100 kg tekstili në muaj, dhe rreth 25,200 kg tekstili në vit kështu duke kontribuar në ruajtjen e mjedisit. Me anë të fondeve të mbledhura nga Teshavesha jetët e rreth 1000 foshnjave në Kosovë janë shpëtuar si rezultat i përdorimit të medikamentit Survanta, dhe rreth 3000 gra kanë përfituar duke qenë pjesë të ligjeratave falas në Qendrat Informuese Për Shëndetin e Gruas.