31 Gusht 2018, Klinë

Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Klinë, në Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare (QKMF). Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë financimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Klinës, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

E kemi mirëpritur hapjen e Klasave për Nëna edhe në Qendrën Kryesor të Mjekesisë Familjare në Klinë, si mundësi e jashtëzakonshme për shtrirjen e informimit të sakte dhe shumë të rëndësishme të nënave dhe partnereve të tyre për një shëndet më të mirë të tyrin dhe foshnjave të tyre” theksoi Dr. Hekuran Sejdiudrejtori i departamentit të shëndetësisë së komunes së Klinës.

“Qendra e 10-të ‘Klasat për Nëna’ e hapur tani edhe në Klinë do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës. Jemi të lumtur që interesimi nga nënat është rritur dhe kërkesa për hapjen e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas është çdo ditë e më i madh” u shpreh përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë Labërie Çarreti Sylejmani. 

Qendra Informuese në Klinë është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Klinës, si dhe partneret e tyre. Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Klinë, në uebfaqen e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës – Klasat për Nëna.

Kjo është Qendra e dytë e cila po hapet përgjatë vitit 2018, ndërsa nga viti 2014 prej kur u themelua ky program, Klasat për Nëna janë të shtrira ne 9 komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Kaçanik, Pejë, Shterpcë, Dragash dhe tani edhe Klinë.