20 Korrik 2018, Dragash

Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Dragash, në Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare (QKMF). Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Dragashit, QKMF-së, Bankës Raiffeisen dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

“Themelimi i Qendrës në Dragash shënon pikën e 9-të në Kosovë që inkuadron programin edukativ të qendrave si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës në nivelin primar. Qendra “Klasat për Nëna” në Dragash do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës,” u shpreh përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beselica Beha. 

“Banka Raiffeisen vazhdimisht i ka kushtuar vëmendje të veçantë përkrahjes së shëndetësisë meqenëse shëndetësia është një fushë më specifike. Ne jemi shumë të kënaqur që mund t’iu ofrojmë nënave të reja qendra edukative si kjo. Banka Raiffeisen mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar shëndetësinë,” u shpreh z. Robert Wright, drejtor i Bankës Raiffeisen. 

Qendra Informuese në Dragash është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Dragashit, si dhe partneret e tyre. Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Dragash, ne uebfaqen e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës – Klasat për Nëna.

Që nga viti 2014 kur u themelua ky program, Klasat për Nëna janë të shtrira ne 8 komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Kaçanik, Pejë, Shterpcë dhe Dragash.