Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës – Diskutim i hapur me qytetarët

Prishtinë, 18 maj 2017-

Sot u mbajt  diskutimi i hapur me qytetarët mbi Edukimin Seksual Gjithëpërfshirës (ESG). Ky diskutim u organizua nga Koalicioni K10, koalicion ky i përbërë nga dhjetë organizata jo-qeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë, dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Ky diskutim tregoi rolin e rëndësishëm të ESG në parandalimin e rezultateve negative të shëndetit seksual dhe riprodhues tek të rinjët dhe gjithashtu shërbeu si platformë për të diskutuar çështjet gjinore dhe të drejtat e njeriut. Sidoqoftë, synimi i ketij diskutimi ishte edukimi i rinisë për seksualitetin dhe rreziqet të cilat vijnë nga kjo si pasojë e mos edukimit të adoleshentëve, duke marrë parasysh që studimi i bërë nga UNFPA tregon se një në katër adoleshentë aktiv seksualisht nuk përdorin asnjë mjet mbrojtës ndaj sëmundjeve të transmtueshme seksuale (STI), HIV, apo shtatëzënive të paplanifikuara.

Dr. Visare Mujko-Nimani nga UNFPA shpjegojë që “Kosova, në krahasim me vendet ne rajon , është vendi më pranues i termit në pergjithësi. Nuk ekzistojn asnjë barriere as ligjore as institucionale në përpilimin e kurrikulave për edukimin seksual “.

Ndërsa, Prof.Dr. Ilir Begolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik deklaroi që “Instituti shërben si platëform në hartimin dhe implementimin e programeve edukative mbi seksualitetin, por edhe si qendër për trajnimin e kuadrove të reja. Interesimi për implemetimin e këtyre programeve nga ana e nxënësve është shumë i madh, mirëpo vërehet ngurrimi nga ana e mësimdhënësve.”

Në këtë diskutim ishin të ftuar edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mirëpo në mungesë të prezencës, diskutimi nuk mundi të adresojë pikëpamjet e tyre institucionale.

Diskutimet e tilla të hapura me qytetaret do të vazhdojnë të organizohen nga Koalicioni K10 që të adresojnë tema të shendetit seksual dhe riprodhues me qytetarët.

Koalicioni K10 përbëhet nga këto organizata anëtare: Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Asociacioni për Edukim dhe Zhvillim të Shëndetësisë (AHED), Artpolis, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit (Jeta/Vita), Shëndet për të Gjithë (Health for All), Fondi Kosovar për Popullsi (KOPF), Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar (PEN), Shoqata e së Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), Shoqata Kosovare për Promovimin, Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve (Shko-Pa-Msha),  dhe përkrahet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA).