Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Falultetit të Mjekësisë dhe ANF-së.

Prishtinë, 23 maj 2017-

Këtë javë është bërë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prshtinës “Hasan Prishtina” dhe Fondacionit Aksionin për Nëna dhe Fëmijë (ANF). Ky bashkëpunim do të mundësoj realizimin e praktikës në programet e ANF-së për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë përfunduar provimin e Biostatistikës, Gjinekologjisë dhe Pediatrisë, si dhe studentët e vitit të fundit të drejtimit të Mamisë.

Me zhvillimin e projekteve çdo herë më komplekse dhe gjithëpërfshirëse, ANF ka një nevojë të vazhdueshme, për praktikantë të cilët kontribuojnë me njohuritë, kohën dhe punën e tyre në implementimin e programeve shëndetësore të Fondacionit.

Këta studentë do të aftësohen për mbajtje të ligjëratave në “Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas”, në hulumtime në terren për programin e Kancerit të Qafës së Mitrës; në Analizat Statistikore të Projektit të Transportit Neonatal; apo projekte të tjera të menaxhuara nga ANF që paracaktohen paraprakisht.

Puna praktike do të mbahet në periudhë katër mujore, dhe në përfundim të praktikës studentët do të pranojnë Referencë për punën dhe performancën si dhe rekomandime për punë të ardhshme.