AMC hapi Qendrën e 18-të Informative për Shëndetin e Gruas dhe lansoi projektin “Kujdesi Grupor në 1000 ditët e para” në Fushë Kosovë

Sot, në qendrën e organizatës The Ideas Partnership (TIP) në Fushë Kosovë, AMC hapi Qendrën e 18-të Informative për Shëndetin e Gruas dhe njëkohësisht lansoi projekti e Kujdesit Grupor në 1000 ditët e para.

Ky është një moment shumë i veçantë për neve pasi që qendra e sapohapur është e bazuar në komunitet dhe synon t’u shërbejë komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në këtë komunë. Duke qenë se pjesëtarët e këtyre komuniteteve jetojnë në kushte shumë më të këqija në krahasim me popullatën e përgjithshme në Kosovë, konsiderojmë se hapja e kësaj qendre është një hap shumë i rëndësishëm drejt adresimit të pabarazive shëndetësore dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor të qasshëm për të gjithë.

“Hapja e kësaj qendre sot dhe lansimi i projektit për kujdesin grupor në 1000 ditët e para janë një arritje e jashtëzakonshme për AMC-në, pasi që kjo qendër e bazuar në komunitet, do t’ju shërbejë fëmijëve, grave dhe baballarëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët kanë shëndet pakrahasimisht më të dobët krahasuar me popullsinë shumicë në vend. Prandaj ne jemi të përkushtuar që ta përmirësojmë shëndetin e këtyre komuniteteve, në mënyrë që të kemi një shoqëri më të barabartë ku gjithsecili ka qasje në shërbime cilësore shëndetësore në vend” – u shpreh Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, z. Vlorian Molliqaj.

Programi i Qendrave Informative për Shëndetin e Gruas është iniciativë e fondacionit Action for Mothers and Children si pjesë e programeve edukative për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë dhe ka për qëllim të mbështesë përmirësimin e kujdesit shëndetësor të ofruar për nënat dhe fëmijët, ndryshimet që ndodhin gjatë shtatzënisë, gjidhënien, kujdesin para dhe pas lindjes, vaksinimin, etj.

Ndërsa projekti “Kujdesi në Grup gjatë 1000 ditëve të para”, ka për qëllim që gratë shtatzëna të kalojnë problemet apo shqetësimet e tyre që i hasin gjatë shtatzënisë së bashku duke mësuar nga përvojat e njëra tjetrës dhe nga këshillat e ndryshme të cilat jepen nga profesionistët shëndetësor për një shtatzëni sa më të shëndetshme. 

Ne shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë përpjekje, e posaçërisht Iniciativën për Komunitet në kuadër të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimin Evropian si dhe stafin e organizatës The Ideas Partnership për angazhimin e tyre të pashoq në arritjen e këtij rezultati. 

Njëkohësisht, ju bëjmë thirrje të gjitha grave dhe baballarëve në këtë komunë që të shkojnë në këtë qendër dhe të marrin informatat shëndetësore në mënyrë që të kenë një shtatzëni dhe prindërim sa më të shëndetshëm.