Koalicioni i Organizatave për të Drejtat e Shëndetit Riprodhues
02.03.2016
Që nga viti 2016, ne jemi duke punuar në konsolidimin e përpjekjeve të disa organizatave në fushën e shëndetit seksual riprodhues duke krijuar një trup të përbashkët avokues që ndikon në përmirësimin e politikave që promovojnë të drejtat e shëndetit seksual riprodhues në Kosovë.
Në një periudhë afatgjatë, ky koalicion synon të përmirësojë politikat, ligjet dhe vetëdijësimin rreth shëndetit seksual riprodhues dhe të drejtave riprodhuese në Kosovës përmes aktiviteteve avokuese, të bazuara në evidence, të organizatave anëtare të këtij koalicioni. Koalicioni, i emëruar si K10 bazuar në 10 të drejtat themelore të shëndetit seksual riprodhues, shërben si një trup i pavarur avokues dhe monitorues në implementimin e politikave dhe ligjeve që lidhen me të drejtat e shëndetit seksual riprodhues.
Në një periudhë afatmesme, K10 synon të avokojë me vendim-marrësit qeveritar në rëndësinë e buxhetimit të materialeve shpenzuese që lidhen me shëndetin seksual riprodhues dhe të këshillojë Ministrinë e Shëndetësisë në zbatimin e planeve strategjike të planifikimit familjar dhe promovimit të të drejtave riprodhuese.
Duke mos lënë anash strukturën ligjore që rregullon shëndetin seksual riprodhues, K10 synon që të monitorojë revidimet e politikave të aplikueshme në linjë me direktivat e Bashkimit Evropian, dhe të jetë pjesë e komisioneve relevante duke përfaqësuar të drejtat e qytetarëve dhe zërin e informuar për shërbimet dhe financimet e nevojshme lidhur me shëndetin seksual riprodhues.
FAKT: Vëmendja e vazhdueshme dhe investimi në shëndetin riprodhues është shumë urgjente marrë parasysh që afërsisht 350,000 gra Kosovare janë në moshën e tyre riprodhuese. Gjendja e dobët shëndetësore e grave dhe fëmijëve është edhe pengesë e zhvillimit socio-ekonomik të një shoqërie.