Skriningu i Kancerit të Qafës së Mitrës – pilotimi në Prishtinë

Me nevojën e identifikuar në fazën e parë të projektit për skriningun e kanceri të qafës së mitrës (shih më poshtë), në vitin 2016 programi i skriningut pranoi mbështetjen e Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Zyra në Kosovë, dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Zyra në Kosovë, për të realizuar programin e skriningut me metodën e PAP testeve, të ofruara në nivelin e kujdesit shëndetësorë primar, në Komunën e Prishtinës.

Ky projekt ka synuar pilotimin e skriningut të kancerit të qafës së mitrës brenda 3 Qendrave të Mjekësisë Familjar në Prishtinë, dhe të realizojë skriningun në rreth 2,000 gra të kësaj komune, si dhe të zhvillojë planin e veprimit për komunën që të bëjë planifikimet humane dhe financiare për të ndërtuar programin e skriningut në nivelin gjithëpërfshirës nacional. Prishtina, po ashtu ka shërbyer si model për të avokuar në ndërtimin e sistemeve të skriningut edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Në vitin 2016, ky pilot projekt ka mundësuar për herë të parë realizimin e skriningut në nivelin e kujdesit shëndetësor primar dhe rregullimin e bashkëpunimit me nivelin e kujdesit terciar, apo Institutin e Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Me përkushtimin e stafit mjekësor në nivelin primar, projekti ka mundësuar trajnimin praktik dhe aftësimin e 7 mjekëve specialiste të mjekësisë familjare në Prishtinë për kryerjen e Pap-testeve.

Realizmi me sukses i projektit u mundësua falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, 700 for Science Foundation dhe iniciativës e koordinimit nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

Duke qenë një nga prioritetet e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, dhe në saje të përkushtimit të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, programi i skriningut ka vazhduar në Komunën e Prishtinës edhe në vitin 2017 me sukses.

Rezultatet e deritanishme, përfshirë vitin 2016 dhe 2017, përfshijnë rreth 3,500 PAP teste të realizuara pa pagesë tek gratë e moshës 21-65 vjec.

Qëllimi afatgjatë i programit mbetet zgjerimi i mundësisë së skriningut në nivel nacional, duke përfshirë komunat e largëta, ku gratë kanë mundësi të kufizuara të qasjes në shërbimet shëndetësore.

FAKT: Programet e skriningut mund të reduktojnë incidencën dhe mortalitetin nga kanceri i qafës së mitrës deri në 80%.