Z. Kujtim Gjevori, anëtari më i ri i Bordit të Drejtorëve të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë

17 Janar 2019, Prishtinë

Jemi shumë të lumtur të ju njoftojmë për bashkangjitjen e anëtarit tonë më të ri në Bordin e Drejtorëve, Kujtim Gjevori. Kujtimi është ndërmarrës me përvojë 20 vjeçare, i pasionuar pas zhvillimeve inovative, gjithmonë i gatshëm të eksplorojë dhe sfidojë veten në ndryshimet e të bërit biznes të cilat janë në hap me kohën.

Gjatë karrierës së tij si ndërmarrës ka punuar në industri të shumëllojshme si: shërbime, tregti, distribuim, përpunim dhe prodhim. Ai është themelues dhe drejtor ekzekutiv i fabrikës “SCAMPA” e themeluar në vitin 2007, e cila merret me prodhimin e qeseve dhe thasëve plastike biodegraduese, njëherit lidere në këtë industri në Kosovë, duke mundësuar ndalimin e mbi 80% të importeve të produkteve të njëjta.

Ai është bashkëthemelues i kompanisë “POWERPACK” LLC, e themeluar në vitin 2017, si bashkëinvestim me investitorë nga Belgjika që synon prodhimin e thasëve të mbeturinave në Kosovë, të cilat 100% do të eksportohen në tregun belg.

Kujtimi është po ashtu kryesues i Komitetit të Prodhuesve në Odën Amerikane, e poashtu edhe pjesë e rrjetit të ndërmarrësve CEED Kosova, ku gjithmonë promovon dhe mbështet inovacionin në mënyrën e të bërit biznes para ndërmarrësve të tjerë në Kosovë. Ai është aktiv edhe në promovimin e përgjegjësisë sociale korporatave, duke mbështetur organizatat e ndryshme joprofitabile në misionet e tyre ekologjike dhe humanitare.

Ne jemi falenderues që Kujtimi do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e ‘Aksionit për Nëna dhe Fëmijët’ me përvojën e tij. Për listë e plotë të Antarëve të Bordit të ANF-së, ju lutemi vizitoni faqen tonë duke klikuar këtu.