U dhurua medikamenti jetëshpëtues “Survanta” në vlerë prej 26,810,00 Euro në Klinikën e Neonatologjisë!
06.04.2023
Prishtinë, Prill 2023
Sot në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bë dorëzimi I medikamentit Surfaktant, donacion ky i bërë i mundshëm përmes bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm në mes të Aksionit për Nëna për Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares. Sasia e donacionit me medikamentin Surfakant “Survanta” është gjithsej 70 shishe apo në vlerë monetare 26,810.00 euro.
Ky medikament ka rol jetëshpëtues tek foshnjet që lindin parakohe. Foshnjat e lindura parakohe që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat premature nuk mund të marrin frymë.
Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS.
Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet me këtë lloj medikamenti kanë shpëtuar jetën e më shumë se 6000 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë angazhohet për shëndet më të mirë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Misioni i AMC-së është shpëtimi i jetëve dhë përmirësimi i shëndetit të foshnjëve, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. Për ta arritur misionin e saj, AMC zbaton projekte dhe programe të ndryshme të cilat kanë ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në sistemin shëndetësor dhe ofrojnë zgjidhje afatgjata.