Përfundojnë me sukses trajnimet e organizuara për Koalicionin K10

Prishtinë, 9 shtator 2016-

Javën që shkoi Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile, i krijuar me qëllim të avokimit për shëndetin seksual riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues, ka përfunduar me sukses trajnimet e organizuara për ngritje të kapaciteteve avokuese. Pakoja e trajnimeve ka përfshirë gjithsej pesë trajnime, të organizuara mes periudhës 18 Gusht – 7 Shtator, me tema të ndryshme që synojnë ngritjen e kapaciteteve të anëtarëve të Koalicionit lidhur me temat e trajtuara. Këto të fundit përfshijnë hyrje në shëndetin riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues, gjendjen aktuale në Kosovë, strategjitë e avokimit, metodat e hulumtimit, si dhe mënyrat efektive për bartjen e mesazhit dhe ndryshimin e politikave dhe kornizës ligjore.

Pakoja e trajnimeve është krijuar në bazë të vlerësimit profesional të organizatave anëtare dhe eksperiencës së tyre në avokim në fushën e shëndetit riprodhues.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, në cilësinë e Koordinatorit të Koalicionit dhe organizatorit të trajnimeve vlerëson se trajnimet kanë trajtuar tema të qëlluara që do të shërbejnë drejtë planifkimit të aktiviteteve të Koalicionit me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe përmirësimit të kornizës ligjore dhe politikave mbi shëndetin riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues. Ligjëruesit në trajnime kanë qenë personalitete me përvojë të gjatë në fushën specifike që kanë trajtuar dhe kanë mundësuar zhvillimin e diskutimeve që kanë trajtuar edhe përvojat e ndryshme të anëtarëve në këtë fushë.

Koalicioni i organizatave për shëndetin seksual riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues është krijuar si rezultat i bashkëpunimit në mes të Aksionit për Nëna dhe Fëmije, Fondit Kosovar për Popullsi, Rrjetit Edukatorëve Bashkëmoshatar (PEN), Shoqatës së Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Artpolis, Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit (Jeta/Vita), Shëndet për të Gjithë (Health for All), Shoqatës Kosovare për Promovimin, Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve (Shko-Pa-Msha), dhe Asociacionit për Edukim dhe Zhvillim të Shëndetësisë (AHED), si dhe financohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA).