Hapet Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Komunën e Shtërpcës

Prishtinë, 30 mars 2016-

Në një ceremoni zyrtare sot, u hap Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas në Komunën e Shtërpcës, në Ambulantën e Mjekësisë Familjare në Drajkovc. Kjo Qendër sjell gratë nga etnicitetet e ndryshme në një dhomë të përbashkët ku ndajnë eksperiencën e njejtë e të bërit nënë. Në këto qendra këshillat individuale dhe grupore ofrohen në një ambient shumëngjyrësh, privat dhe të rehatshëm. Pjesëmarrëset marrin edukimin esencial në ushquyeshmërinë gjatë shtatzanisë, fazat e shtatzanisë, përgatitjen fizike dhe psiqike për lindje, kujdesin ndaj të posalindurit dhe gjidhënien.

Në ceremoninë e hapjes sot, Z. Sabri Murseli, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Shtërpcës, theksoi se ekzistimi i qendrave të tilla edukative është i domosdoshëm për institucionet tona drejt edukimit të grave dhe partnerëve të tyre për shtatzaninë dhe lindjen. Z. Gëzim Kokollari, nga Ministria e Shëndetësisë, tregoi për mirëpritjen e një inciative të tillë dhe rëndësinë e ofrimit të këshillave edukative që përmirësojnë shëndetin e nënës dhe fëmijës, sidomos marrë parasysh që shëndeti i nënës dhe fëmijës është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë. Fjala e Dr. Burim Karameta, Drejtor i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga Komuna e Ferizajit, tregon për rëndësinë e bashkëpunimit ndër komunal në hapjen e Qendrës Informuese sot, duke marrë modelin e funksionimit të Qendrës Informuese në Ferizaj e cila u themelua një vit më parë.

Albiona Beha, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, falenderoi mamitë e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Drajkovc të cilat do të jenë përgjegjëse për ofrimin e ligjëratave dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të Qendrës. Ajo theksoi se “hapja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në Drajkovc-Shtërpcë shënon njëherit edhe pikën 4 të lokacionit të këtij programi. Deri më tash, rreth 2,500 gra kanë përfituar nga përkrahja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Vitin e kaluar, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë themeloi 3 Qendra në Prishtinë e Ferizaj,” – shton Beha.

Hapja e Qendrës Informuese në Shtërpcë përkrahet nga UNMIK-zyra në Kosovë dhe zgjerimi i aktiviteteve të këtij programi mundësohet falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët.” Programi i Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Solidar Suisse Kosova.