U trajnuan mbi 40 patologë në Institutin e Anatomisë Patologjike mbi citologjinë cervikale

Prishtinë, 16 mars 2017-

Në një kohëzgjatje prej katër ditësh, patologët në Institutin e Anatomisë Patologjike pranë Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, patën mundësinë të marrin pjesë në trajnimin intenziv të organizuar në kuadër të Programit Nacional për depistim të Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili është vazhdimësi e pilot projektit për depistim të kancerit të qafës së mitrës të implementuar gjatë 2016. Trajnimi eshte akredituar nga Boardi me Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor, duke kontribuar me pikë kredituese drejt ri-licensimit të personelit mjekësor.

Ky i fundit ka mundësuar depistimin pa pagesë të më shumë se 1800 grave deri më tani, ndërkohë që Pap testet vazhdojnë të ofrohen si shërbim i rregulltë në tre Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të cilat janë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Qendra e Mjekësisë Familjare Nr. 5, dhe Qendra e Mjekësisë Familjare Nr. 6. Projekti gjithashtu ka përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet nivelit parësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor dhe ka definuar hapat e nevojshme për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e programit, me qëllimin që ky program të zgjerohet në nivel nacional.

Një përbërës i rëndësishëm i programit të depistimit është trajnimi dhe edukimi i vazhdueshëm mjekësor i stafit mjekësor nga të gjitha nivelet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Trajnimi i parë është organizuar javën që shkoi me më shumë se 40 patologë dhe teknikë pranë Institutit të Anatomisë Patologjike. Në saje të ekspertizës dhe trajnimit dhe mbikëqyrjes profesionale nga specialistja e citologjise klinike dhe doktoresha Merdita Agai Muhaxhiri, patologët dhe teknikët patën rastin të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë rreth zhvillimeve të reja në fushën e gjinekologjise klinike, duke I aplikuar ato në mënyrë praktike në ambientin e tyre të punës.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe partnered implementues do të vazhdojnë përkrahjen për implementimin dhe promovimin e programit nacional për depistim të kancerit të qafës së mitrës si një e drejtë e garantuar me ligj për të gjitha vajzat dhe gratë.