Raiffeisen Bank në mbështetje të vazhdueshme të shëndetit të nënës dhe fëmijës

-9 Nëntor, Prishtinë

Po shënojmë dy vite të bashkëpunimit tonë me Bankën Raiffeisen, e cila ka ndarë shumën prej Eur 40,000.00 deri më sot, në mbështetje të shëndetit të nënës dhe fëmijës. Falë mbështetjes së tillë mbi 300 fëmijë në vit dhe mbi 2,000 nëna përfitojnë nga programet e zhvilluara falë bashkëpunimit.

Programi i parë që invervenuam së bashku ishte Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në vise rurale, jashtë Prishtinës, dhe hapëm kështu qendrën në Dragash, në Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare (QKMF).  Qendra “Klasat për Nëna” në Dragash ofron shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, informacione rreth depresionit pas lindjes, ushqyerjes me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës.

“Një mbështetje e tillë ka mundësuar rritje të casjes në shërbime shëndetësore për gratë dhe vajzat e Dragashit dhe njëkohësisht që nga muaji i kaluar rreth 40 gra dhe vajza kanë marrë shërbimet e kujdesit të paralindjes vetëm në këtë Qendrër,” deklaron Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë. Në vitin e dytë të bashkëpunimit, është vazhduar me hapjen e Qendrës “Klasat për Nëna” në Pejë, duke mundësuar kështu zgjerimin e këtij programi jetë-shpëtues në rajonin e Dukagjinit.

Dy dyqanet e bamirësisë “Teshavesha” në Prishtinë dhe në Ferizaj, të financuara nga Banka Raiffeisen, vizitohen nga mbi 200 qytetare çdo ditë të cilët sjellin rroba dytësore apo blejnë ato, dhe mundësojnë kështu një të hyrë të qëndrueshme për prorgramet e shëndetësisë të fondacionit tonë. Duke mbështetur themelimin e këtyre ndërmarrjeve shoqërore, janë punësuar edhe 3 gra në këto pika të dyqanit, kontribohet në mbrotje të ambientit duke ofruar kështu hapësirë për riciklimin e tekstilit dhe materialeve të tjera nga qytetarët, dhe njëkohësisht ndihmohet kauza e shëndetit të nënës dhe fëmijës me fondet shtesë që kjo ndërmarrje shoqërore gjeneron.

“Mbështetja e Teshavesha është një shembull shumë i mirë se si bizneset mund të punojnë në Përgjegësinë Korporative Shoqërore dhe të kontribuojnë në shumë aspekte përmes nje aktiviteti të tillë: mbrojtjen e ambientit, gjenerimin e punësimit, si dhe mbështetjen e kauzës humanitare të nënave dhe fëmijëve,” është shprehur Janinë Mehmeti, koordinatore për ngritje fondesh në Fondacion.

Muaj më parë u dorëzuan pajisjet e Ehosonografit dhe Bilirubinometrisë transakute në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me mbështetjen e Bankës Raiffeisen. Këto pajisje tani mundësojnë një shërbim të ri për fëmijët në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë – përmes ehosonografit mundësohet diagnostikimi i të gjitha sëmundjeve të zemrës tek foshnjet, gjakderdhjeve të brendshme, infeksioneve, anomalive të sistemit nervor qendror, anomalive të sistemit urogjenital, funksonimin e zorrëve dhe shumë sëmundje të tjera; ndërkaq përmes bilirubinometrisë transakute do të përcaktohen shpejt, pa dhimbje, me kosto të ulët dhe saktë vlerat e bilirubinës tek foshnjet, dhe parandalohen kështu pasoja të ndryshme të anomalive tek foshnjet.

“Për Raiffeisen bashkëpunimi me Aksionin për Nëna dhe Fëmijë ka qenë një përvojë e re bashkëpunimi, ku përveç kontributit që kemi arritur të ofrojmë për blerje të pajisjeve apo materialeve shpenzuese, ndihma dhe përkrahja që Aksioni e ofron përmes aktiviteteve të tyre për nënat dhe fëmijët është shumë e rëndësishme edhe për ne. Prandaj jemi mjaft të kënaqur të jemi pjesë e këtij suksesi,” tha Antigona Limani, përfaqësuese e Bankës Raiffeisen në Kosovë.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka për qëllim kryesor shpëtimin e jetës së nënave dhe fëmijëve në Kosovë duke dhënë kështu ndihmë direkte komunitetit dhe institucioneve në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët. Ndonëse statistikat momentale tregojnë ulje të dukshme të shkallës së vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve, beteja s’ka përfunduar ende përderisa Kosova vazhdon të ketë shkallët më të larta të mortalitetit në Europë.