Qasja e barabartë në shërbime shëndetësore është e drejtë fundamentale

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme rrënjësore në realizimin e të drejtave të tyre fundamentale. Hulumtimet e ndryshme tregojnë që këto komunitete janë të privuar nga shumë të drejta njerëzore duke filluar nga qasja në ujë të pijshëm, deri tek qasja në shërbime shëndetësore, shkollimi dhe punësimi.

Sipas Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS 2020), për nga nataliteti në Kosovë, për çdo 1000 lindje të gjalla, 16 fëmijë vdesin para se të mbushin ditëlindjen e tyre të parë (70% e tyre vdesin brenda muajit të parë të jetës). Për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas, numri përkatës është 27 fëmijë (80% brenda muajit të parë të jetës) të cilët nuk jetojnë deri në ditëlindjen e tyre të parë. Në anën tjetër, shkalla e imunizimit të plotë për fëmijët deri në moshën 2 vjeçare që vijnë nga këto komunitete nuk arrin as 38%.

Edhe sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, si çdo herë tjetër bën thirrje për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të barabartë. Pabarazia socio-ekonomike dhe shtypja e grupeve të margjinalizuara vazhdon të jetë fenomen tejet shqetësues në vendin tonë. Lufta me pandeminë COVID-19 ka vënë edhe më tej në dukje këtë dukuri.

Ne ju bëjmë thirrje akterëve relevant për ndërrmarje të hapave efektiv në drejtim të sigurimit të barazisë për të gjithë, respektim të të drejtave fundamentale të njeriut, angazhim politik dhe përfshirje të të gjitha grupeve shoqërore pa asnjë dallim, me theks të veçantë grupet më të cënueshme. Ofrimi i barabartë i qasjes në shërbimet shëndetësore për të gjitha komunitetet etnike dhe grupet tjera shoqërore duhet të mbetet prioritet i Qeverisë dhe institucioneve tjera si në nivel qëndror ashtu edhe në nivel lokal.

Të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jetojnë një jetë të dinjitetshme dhe tu respektohet integriteti personal, pa marrë parasysh prapavijën e tyre etnike apo socio-ekonomike. AMC do të angazhohet në luftimin dhe parandalimin e diskriminimit të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, dhe popullësisë së përgjithshme në Kosovë.