Donacion për Klinikën e Gjinekologjisë, Neonatologjisë dhe Spitaleve Rajonale nga AMC dhe LDS Charities

Pandemia globale që ka kapluar edhe Kosovën vazhdon të gjejë institucionet tona në nevojë të vazhdueshme për materiale mbrojtëse kundër Covid-19. Duke i ditur këto nevoja, AMC përmes bashkëpunimeve me partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, është mobilizuar që në vazhdimësi t’i mbështesë institucionet tona shëndetësore me pajisje mjekësore dhe materiale mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Fondacioni Action for Mothers and Children në bashkëpunim me LDS Charities sot ka dorëzuar pajisje për mbrojtje personale të personelit shëndetësor kundër Covid-19, në Barnatoren Qëndrore në QKUK, me vlerën e rreth 10,000Euro e të cilat do të shpërndahen në klinikat e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë në QKUK dhe Spitalet Rajonale në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, Vlorian Molliqaj, me rastin e këtij dorëzimi tha: “Kjo pandemi globale kërkon angazhim nga të gjithë ne, dhe AMC vazhdon të qëndrojë pranë institucioneve shëndetësore në Kosovë, duke u munduar që t’i përmbushim nevojat e tyre për pajisje dhe materiale të ndryshme shëndetësore. Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur për bashkëpunimin me LDS Charities dhe ShSKUK dhe shpresojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë që institucionet tona shëndetësore të jenë sa më të furnizuara dhe përgatitura mirë për tu përballur më COVID-19 dhe për të ofruar shërbime cilësore për nënat dhe fëmijët”.

Prezent në dorëzimin e këtij donacioni ishte dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Dr. Valbon Krasniqi, i cili ishte shumë mirënjohës për këtë donacion nga AMC. “Bashkëpunimi mbi 10-vjecar me Fondacionin AMC ka sjellë shumë benefite për klinikat tona, dhe ne jemi jashtëzakonisht falenderues për mbështetjen e vazhdueshme, e sidomos gjatë këtyre kohëve shumë të vështira për QKUK dhe shërbyesit shëndetësorë. Këto mjete që janë dorëzuar sot jane shumë të rëndësishme qe ne të mund të kryejmë punën tonë siq është më së miri.’’ – u shpreh z. Krasniqi me rastin e pranimit të këtij donacioni.

Vlen të theksohet se donacioni i sotëm është donacioni i tretë me radhë vetëm përgjatë pandemisë COVID-19 nga Action for Mothers and Children. AMC do të vazhdoj me donacione të tjera për institucionet tona shëndetësore, gjithmonë duke identifikuar nevojat në koordinim me institucionet përkatëse shëndetësore dhe Ministrinë e Shëndetësisë.