Pajisja CRP/CBC dorëzohet në Repartin Neonatologjik

Më 29 Janar, 2015, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë bashkë me organizatorët e “Çiklizmit për Fëmijët” dorëzuan solemnisht aparatin për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në gjak dhe hemogramit në Klinikën e Neonatologjisë – aparat ky shumë i nevojshëm për të shpëtuar jetën e foshnjave në Njësinë e Neonatologjisë në QKUK.

Ky aparat u sigurua nga fondet e ngritura nga turneu vendor Çiklizmi për Fëmijët i cili u organizua majin e vitit të kaluar nga inciativa e disa çiklistëve ndërkombëtarë në Kosovë. Aparati është i nevojshem për të përcaktuar nivelin e CRP në gjak dhe pasqyrën e gjakut te foshnjet e porsalindura, analiza këto të cilat ndihmojnë në diagnozën e infeksionit, nevojën për trajtim me antibiotikë, percjelljen e trajtimit, dhe kohën kur është e nevojshme që të ndërpritet antibioterapia. Me këtë paisje eshte shumë lehtë për tu realizuar analiza, rezultati do të jetë i gatshëm për 4 min, foshnja shpohet vetem nje here dhe sigurohen 2 informata në të njejten kohë. Gjithashtu, sasia e gjakut që merret është minimale dhe foshnja nuk humbë sasi të madhe të gjakut. Andaj, pajisja e tillë do të ndikojë në përmirësimin e efikasitetit të shërbimeve të Klinkës dhe shpëtimin e foshnjave.

Me rastin e dorëzimit solemn, drejtoresha e Klinikës falenderon Aksionin për Nëna dhe Fëmijë dhe iniciativën e çiklistëve për sigurimin e kësaj pajisje. Organizatori i ngjarjes së çiklizmit falenderon pjesëmarrësit ne turne dhe njofton se ngjarje të tilla në ndihmë të punës së Aksionit dhe klinikës do të organizohen edhe muajt në vazhdim. Në të njëjtën kohë përfaqësues të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë deklarojnë se sigurimi i pajisjeve të nevojshme për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve të Klinikës është një nga shtyllat e rëndësishme të programeve të fondacionit dhe iniciativa të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.