
Agron Abrashi
05.09.2024
Dr. Agron Abrashi: Një jetë kushtuar mjekësisë, komunitetit dhe punës humanitare
Ne jemi të nderuar të mirëpresim Dr. Agron Abrashi si anëtar nderi i bordit tonë, duke vlerësuar kontributin e tij të paçmuar në mjekësi dhe përkushtimin e tij në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së komuniteteve si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
Dr. Agron Abrashi filloi shkollimin për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku studioi nga viti 1974 deri në vitin 1980. Provimin e shtetit më vonë e kreu në shtator të vitit 1988 në Rijekë të Kroacisë.
Trajnimi dhe specializimi i tij përfshijnë trajnimin për radiologji në Institutin Paul Scherrer, ku mori një certifikatë më 22 prill 1997.
Më tej u specializua në mjekësinë e brendshme të përgjithshme, duke marrë certifikimin si specialist më 8 shtator 2002. Gjithashtu, ai iu nënshtrua programeve të ndryshme të trajnimit për menaxhim, duke përfshirë Menaxhim 1 & 2 në Gustav Käser në 1989 dhe 1990, dhe Programi për Menaxhim në Baxter më 24 shkurt 1994. Ai gjithashtu u bë auditor cilësie me përvojë më 5 qershor 1991.
Karriera e hershme e doktor Abrashit nisi në Qendrën Mjekësore “Isa Grezda” në Gjakovë nga 1 qershori 1980 deri më 31 maj 1982 dhe më vonë në një qendër mjekësore në Pula të Kroacisë nga 1 qershori deri më 31 shtator 1983. Në dhjetor të vitit 1983 migron në Zvicër, ku ka punuar në role të ndryshme në hoteleri dhe si teknik mjekësor në institucione për të moshuarit.
Nga viti 1987 deri në vitin 1995, Dr. Abrashi shërbeu si auditor vendor dhe ndërkombëtar për aktivitete cilësore dhe si koordinator për regjistrimin e produkteve të reja në kirurgjinë kardiovaskulare në Zvicër.
Ai gjithashtu mbajti pozicionin e menaxherit ndërkombëtar si hulumtues i kirurgjisë kardiovaskulare për Baxter Edwards në Irvine, Kaliforni. Midis nëntorit 1992 dhe gushtit 1995, ai përfaqësoi Zvicrën si ekspert në lëminë implantare në komisionet teknike dhe grupet punuese të organizatave (Organizata botërore për Standardizim) dhe CEN (Organizata Europiane për Standardizim).
Në vitin 1995, Dr. Abrashi u bë mjek dhe shef i njësisë në Qendrën Paraplegjike në Notwil të Zvicrës, i specializuar në mjekësinë interne dhe të përgjithshme. Më pas ai asistoi në praktikën e Dr. Edwin Edelmann në Uzwil nga viti 1996 deri në vitin 1997. Më 1 gusht 1998, ai hapi ordinancën e tij private mjekësore në Schwanden, duke u bërë shqiptari i parë që e bën këtë në Zvicër.
Kontributet e Dr. Abrashit shtrihen përtej mjekësisë, duke përfshirë inicimin dhe udhëheqjen e “Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër” dhe mbajtjen e posteve kyçe në organizata të ndryshme, si Klubi Rotary dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në Prishtinë.
Angazhimi i tij për ngritjen e vetëdijes dhe ndihmës për Kosovën gjatë dhe pas luftës ka qenë i rëndësishëm, duke inicuar dhe udhëhequr projekte të ndryshme në shëndetësi, kulturë, art, muzikë dhe sport.
Ai është nderuar me çmime të shumta, duke përfshirë titullin “Ambasador i Kombit” në Samitin e Diasporës në Tiranë dhe “Çmimi i Mikut të Fëmijëve” nga KOMF në Prishtinë dhe çmimin “Champion for Mothers and Children Award” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Dr. Abrashi mbetet aktivisht i përfshirë në shërbimin ndaj komunitetit, duke frymëzuar shumë njerëz përmes përkushtimit të tij për të përmirësuar jetën si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.