
Hartimi i strategjisë së Koalicionit K10
25.04.2017
Prishtinë, 25 prill 2017-
Gjatë fundjavës që kaloi, u mbajt punëtoria dy ditore e Koalicionit K10, koalicion ky i pari i llojit të tij që mbledh në vete dhjetë organizata joqeveritare për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues. Punëtoria, e cila u mbajt në Durrës,zgjati dy dite, përkatësisht me datat 21 dhe 22 Prill 2017.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte hartimi i një plan strategjie e cila do të definoj fushëveprimin dhe objektivat specifike që do të udhëheqin punën e Koalicionit K10 në periudhën afat-mesme. Koalicioni K10 ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës ligjore, politikave të avokimit dhe vetëdijësimin dhe përmirësimin e shëndetit seksual dhe riprodhues të qytetarëve të Kosovës.
“Koalicioni K10 ështënjë nismë relativisht e re, mirëpo me fuqinë që buron nga bashkimi i 10 organizatave kredibile dhe me vullnet për përmirësim të shëndetit seksual dhe riprodhues në Kosovë, besojmë se strategjia e hartuar do te jetë dokument i fuqishëm udhëzues në punën tonë” theksoi Dafina Krasniqi, Koordinatore e Programeve në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë, organizatë kjo që ka rolin koordinues të K10.
Koalicioni i organizatave për shëndetin seksual riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues është krijuar si rezultat i bashkëpunimit në mes të Aksionit për Nëna dhe Fëmije, Fondit Kosovar për Popullsi, Rrjetit Edukatorëve Bashkëmoshatar (PEN), Shoqatës së Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Artpolis, Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit (Jeta/Vita), Shëndet për të Gjithë (Healthfor All), Shoqatës Kosovare për Promovimin, Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve (Shko-Pa-Msha), dhe Asociacionit për Edukim dhe Zhvillim të Shëndetësisë (AHED), si dhe financohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) – Zyra në Kosovë.