CKC dhe AMC dhurojnë Pajisje për Fëmijët QKMF në Istog

Një donacion i rëndësishëm me pajisje mjekësore esenciale për ekzaminimin, diagnostikimin dhe
trajtimin e fëmijëve është dorëzuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në
Istog.

Ky donacion i çmuar është rezultat i parntneritetit mes Cycle Kosovo for Children (CKC) dhe
Action for Mothers and Children (AMC), me synimin për të përmirësuar kushtet shëndetësore
për fëmijët. Pajisjet mjekësore të dhuruara do të luajnë një rol kyç në procesin e ekzaminimit,
diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve të vegjël në Istog dhe rajonin përreth.

Pajisjet mjekësore përfshijnë: monitor pediatrik, infrared për gjetjen e venave tek fëmijët, EKG,
analizator për analizë të CRP-së nga gishti, puls oksimetër për fëmijë dhe pajisje mjekësore tjera
të nevojshme.

 

Përgjatë 10 viteve, Cycle Kosovo for Children ka mbështetur institucione shëndetësore të
ndryshme, duke përfshirë Klinikën e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Prishtinë dhe spitalet
rajonale në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren dhe Ferizaj. Ky angazhim i vazhdueshëm
ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve në Kosovë.
Ky donacion i fundit është mundësuar falë mbështetjes së vazhdueshme nga fondet e mbledhura
përmes turneut vjetor të çiklizmit të organizuar nga CKC. Sponsorët dhe donatorët e këtij
aktiviteti kanë luajtur një rol kyç në sigurimin e pajisjeve të nevojshme për trajtimin e fëmijëve
në nevojë, duke mbështetur sistemin shëndetësor të Kosovës në misionin e tyre fisnik.
Pajisjet mjekësore të dhuruara janë thelbësore për përmirësimin e kushteve shëndetësore dhe
ofrimin e kujdesit mjekësor cilësor për fëmijët në këtë qendër shëndetësore.
AMC dhe CKC shprehin mirënjohjen e tyre të thellë për stafin shëndetësor të QKMF-së dhe
kryetarin e Komunës së Istogut për mikpritjen dhe pranimin e këtij donacioni.