Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe partnerët e saj sjellin shpresë të re për fëmijët me diabet tip 1

 

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe partnerët e saj sjellin shpresë të re për fëmijët me diabet tip 1

Dhjetë fëmijë me diabet tip 1 përfitojnë pompa insuline dhe materialet shpenzuese njëvjeçare për një jetë më të mirë

Prishtinë, 06 mars 2025 – Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF) ka shënuar një moment historik në përpjekjet për përmirësimin e trajtimit të fëmijëve me diabet tip 1 në Kosovë. Për herë të parë, AMC ka dhuruar 10 pompa insulinike për 10 fëmijë në Klinikën Pediatrike dhe Endokrinologjike, një donacion jetik me vlerë mbi 33,000 euro, i cili përfshin gjithashtu materialet shpenzuese për një vit.

Pompat insulinike përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së trajtimit dhe mirëqenies së pacientëve të vegjël.

Kjo iniciativë është rezultat i fushatës sensibilizuese “Diabeti nuk ndalon ëndrrat”, e realizuar në partneritet me Korporatën Rugove si donatorin kryesor dhe me mbështetjen e znj. Burbuqe Pacarada, e cila përmes iniciativës së saj unike të skydiving “Deri në Qiell për Nëna dhe Fëmijë” siguroi fonde për këtë kauzë. Një kontribut të rëndësishëm dhanë gjithashtu sponsorët e edicionit të 8-të të ngjarjes filantropike “Let’s Dance”.

Konferenca për media u hap nga Rina Demiri Spahija, Drejtoreshë Ekzekutive e AMC, e cila theksoi rëndësinë e këtij donacioni:

“Jemi shumë të lumtur dhe krenarë që kemi mundësuar këtë donacion për fëmijët me diabet. Shëndeti i fëmijëve është prioritet për AMC-në dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim iniciativat që lehtësojnë trajtimin dhe kujdesin për ta.”

“Ky donacion është një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm për të adresuar nevojat e qindra fëmijëve që përballen me sfida të vazhdueshme për sigurimin e trajtimit adekuat. Pompat e insulinës dhe sensorët e monitorimit të vazhdueshëm të glukozës janë pajisje jetike që përmirësojnë cilësinë e jetës së fëmijëve me diabet tip 1. Prandaj, ne do te avokojmë për përfshirjen e këtyre pajisjeve në listën esenciale të sistemit shëndetësor publik, duke siguruar që çdo fëmijë të ketë akses në trajtimin e nevojshëm, pavarësisht mundësive financiare.” –  tha Rina Demiri Spahija – Drejtoreshë Ekzekutive në organizatën Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

Pas saj, fjalën e mori Dr. Violeta Grajqevci, Drejtoreshë e Klinikës Pediatrike, e cila nënvizoi rëndësinë e pompave të insulinës: “Këto pompa janë shumë të sakta dhe të lehta për përdorim. Shpresojmë që do të luajnë një rol të madh në përmirësimin e cilësisë së jetës për fëmijët me diabet. Ky është një kontribut i rëndësishëm në shëndetin publik dhe e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë këtë akt.”

 

Aksioni për Nëna dhe Fëmije, për më shumë se një dekadë, ka qenë në ballë të përpjekjeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët në Kosovë, duke siguruar pajisje mjekësore, medikamente ne Klinikat e Gjinekologjisë, Neonatologjisë dhe Pediatrisë dhe duke zbatuar programe shëndetësore me ndikim të qëndrueshëm në sistemin shëndetësor.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aktualisht janë të regjistruar 2,455 persona me diabet tip 1 në Kosovë, ndërsa çdo vit diagnostikohen rreth 40 fëmijë të rinj. Aktualisht, Klinika Pediatrike dhe Endokrinologjike trajton mbi 500 fëmijë me diabet, mirëpo nevojat e tyre mbeten të paplotësuara për shkak të mungesës së pajisjeve esenciale për menaxhimin e sëmundjes.

“Pompa më ka mundësuar një menaxhim të saktë dhe një fleksibilitet të lartë, duke më ndihmuar të ruaj nivele të stabilizuara të glukozës dhe të minimizoj luhatjet ekstreme. CGM e kam vendosur disa vite pas pompës së insulinës, të cilën e kam vendosur pikërisht në Klinikën e Pediatrisë kur isha gjashtë vjeç. Përvoja ime konfirmon se pompat e insulinës, edhe kur nuk janë të lidhura me CGM, janë një mjet i shkëlqyer për menaxhimin e diabetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. 

“Jam shumë lumtur që më është mundësu pompa e insulinës, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, sepse unë jam një fëmijë shumë aktiv. Faleminderit shumë!” – tha Jara Hasolli, paciente ne Klinikën e Pediatrisë

Në përmbyllje, Merita Emini Sadiku, Drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë, shprehu mirënjohjen e saj për këtë iniciativë:

“Pompat e insulinës janë një domosdoshmëri për fëmijët me diabet, duke luajtur një rol kyç në përmirësimin e menaxhimit të sëmundjes së tyre. Ky donacion përfaqëson një hap të rëndësishëm për kujdesin ndaj pacientëve tanë edhe të rritur që dikur kanë qenë pacientë të pediatrisv, dhe jemi thellësisht mirënjohës ndaj AMC dhe të gjithë kontribuuesve që e bënë të mundur këtë donacion jetik.”

 

Gjithashtu, Dr. Hafize Rafuna, Doktoreshë Specialiste në Klinikën e Endokrinologjisë, shprehu mirënjohjen e saj për këtë kontribut të rëndësishëm:

“Ky donacion ka një ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e menaxhimit të diabetit tip 1 për pacientët tanë. Falënderojmë AMC dhe të gjithë mbështetësit për këtë ndihmë të çmuar, e cila do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijëve me diabet.”

Në kuadër të këtij aktiviteti, u bë edhe përurimi i “Dhomës Rekreative” në Klinikën Pediatrike, një projekt i mbështetur në bashkëpunim me donatorin Hyperactive, i cili synon të krijojë një ambient më të ngrohtë dhe më të përshtatshëm për fëmijët gjatë trajtimit të tyre në Klinikë.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF) me partnerët e saj do të vazhdojnë të mbështesin institucionet per këtë kauzë dhe të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për trajtimin e vazhdueshëm dhe cilësor të këtyre pacientëve të vegjël.