Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës – Ndryshimi pozitiv dhe rrënimi i tabuve

-Prishtinë, 1 Nëntor 2017

Në Qendrën Studentore, u mbajt salloni i diskutimit të hapur me temën “Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës”. Ky diskutim i hapur u organizua nga Koalicioni K10, koalicion ky i përbërë nga dhjetë organizata jo-qeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë.

Diskutimi i hapur mbi temën e Edukimit Seksual Gjithëpërfshirës (ESGj) synoi të paraqes rolin e rëndësishëm të ESGj në parandalimin e dukurive negative të shëndetit seksual dhe riprodhues tek të rinjtë. Po ashtu, ky diskutim pati për qëllim t’u  mësojë të rinjve aftësitë për të marrë vendime të përgjegjshme në lidhje me seksualitetin e tyre, duke përfshirë edhe metodat se si të shmangin dhunën  verbale, fizike dhe seksuale. Në anën tjetër paneli adresoi çështjet gjinore dhe të drejtat e njeriut dhe për të promovuar marrëdhënie të respektueshme dhe jo të dhunshme, pasojat dhe rreziqet e mos edukimit të rinisë për seksualitetin, si dhe rëndësinë e edukimit seksual gjithëpërfshirës në kurrikulat mësimore.

Panelistët e këtij diskutimi ishin: Prof. Dr. Ilir Begolli-Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik;  Dr. Vjollca Zeqiri- Qendra kryesore e Mjekësisë familjare dhe z. Rifat Batusha- Fondi Kosovar për Popullësi.

Prof. Dr. Ilir Begolli informoi të pranishmit mbi edukimin shëndetësor dhe nëndegët e edukimit gjithëpërfshirës duke u specifikuar më detajisht në edukimin seksual si temë kryesore e diskutimit të hapur. Ai potencioi se “Edukimi gjithëpërfshirës nuk do të thotë vetëm edukimi shëndetësor në shkolla apo në familje, por do të thotë komunikimi i hapur në jetën e përditshme të një teme që mbetet tabu në vendin tonë”. Ai theksoi se interesimi për të marrë informata për këtë temë nga të rinjtë është rritur dukshëm. Ai po ashtu informoi të pranishmit edhe për disa statistika të përgjithshme mbi sëmundjet seksualisht të transmetueshme sipas IKSHPK.
Në anën tjetër  z. Rifat Batusha nga organizata KOPF, ndau eksperiencën dhe rezistencat e hasura gjatë rrugëtimit 14 vjeqar të kësaj organizate në fushën e edukimit shëndetësor. Ai theksoi që edhe pse tani pjesë e kurrikulave të Kosovës, profesorët përkatës, për arsye të panjohura, asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e trajnimeve edukuese që KOPF-i i ka realizuar.

Dr. Vjollca Zeqiri nga QKMF në Prishtinë, shpjegoi më shumë punën e kujdesit primar në fushën e edukimit shëndetësor përmes trajnimeve të ndryshme dhe ndau eksperiencat e saj për ceshtjet e abortit, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe aspekteve gjinore.  Sipas Dr. Zeqiri kujdesi primar e ka tejkaluar problemin gjinor në raport me edukimin seksual.

Vlen të theksohet që të tre profesionistët nuk e konsiderojnë abortin si metodë e kontracepsionit, por e kundërshtojnë objektivisht arritjen deri në stadin e abortit, pasi që ka mjete parandaluese dhe planifikuese për shtatzanitë e padëshiruara.
Në fund, studentët shfaqën interes për këtë temë dhe adresuan pyetje specifike për panelistët