Pap testet vazhdojnë të ofrohen si sherbim i rregulltë në Komunën e Prishtinës

Prishtinë, 12 korrik 2017-

Në Komunën e Prishtinës po vazhdon ofrimi i Pap testeve në kuadër të nivelit primar të kujdesit shëndetësor. Pilot programi i realizuar ne vitin 2016 mundësoi bërjen e Pap testeve për mbi 2,000 gra në Komunën e Prishtinës. Faza e pilotimit mundësoi identifikimin e rasteve në fazën e ndryshimeve qelizore që mund të çojnë drejt zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës, duke mundësuar kështu trajtimin e tyre me sukses.

„Si rezultat i dëshmisë së nevojës për këtë shërbim falë pilotimit të suksesshëm vitin e kaluar, po vazhdon skriningu si shërbim i rregulltë i nivelit primar në Prishtinë ku të gjitha gratë ë moshës 21 deri në 65 vjec nga Komuna e Prishtinës ftohen të bëjnë Pap tetsin në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishitnë, si Qendra për Mirëqenien e Gruas tek Qafa, Qendra e Mjekësisë Familjare 5 në Ulpianë apo edhe Qendra e Mjekësisë Familjare 6 në Kodrën e Diellit. Të gjitha materialet informuese tashmë ndodhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë ku gratë dhe vajzat mund të orientohen për të caktuar termine,“ shprehet Dafina Krasniqi, koordinatore e programeve në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

Vazhdimi i këtij programi paraqet një nga prioritetet e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë dhe të Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe u mundësua në saje të mbështetjes nga Drejtorati Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë në mënyrë që Pap testet të ofrohen në kuadër të shërbimeve të rregullta shëndetësore në nivelin e kujdesit primar. Vazhdimësia e programit, përvec tjerash, ka mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit në mes të nivelit parësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor, me c’rast janë organizuar edhe trajnime të stafit mjekësor në nivelin tretësor lidhur me kryerjen e analizave patologjike në kuadët të programit të skriningut.

Me rastin e vazhdimit të ofrimit të shërbimit të Pap testit është lansuar edhe video thirrja në mediat e rrjetet sociale, e qasshme përmes këtij linku: www.youtube.com/watch?v=k0azXlBHmFY&list=PLJHEJ1W5Ncy4kPEn2elNXPF6rDD38Rkwg&index=1

Programi i skriningut njëkohësisht mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë, Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit, Instituti i Anatomisë Patologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Instituti Kombëtar I Shëndetësisë Publike të Kosovës, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA (Zyra në Kosovë), Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH (Zyra në Kosovë), dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.