Lansohet pilot projekti i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prishtinës

Prishtinë, 6 korrik 2016-

Në një ngjarje zyrtare sot u lansua zyrtarisht pilot projekti i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Prishtinës, pilotim ky që po bëhet për herë të parë në Kosovë. Ngjarja sot u realizua me qëllim të prezantimit të projektit pilotues mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, që është pjesë e Programit Nacional për Kontrollë të Kancerit në Kosovë. Ky pilot projekt synon të shërbejë si model në krijimin dhe implementimin në tërësi të programit nacional të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Kosovë.

Ngjarja u hap me një fjalë rasti nga Dr. Izet Sadiku, Zëvendës-Ministër i Shëndetësisë i cili garantoi se Ministria e Shëndetësisë do t’i qëndrojë prapa këtij projekti të planifikuar edhe përmes Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit dhe u zotua se do t’merr përsipër mbulimin e materialeve shpenzuese që lidhen me vazhdimësinë e këtij projekti pas pilotimit.

“Me rastin e pilotimit sivjet, do të kontrollohen rreth 2,000 gra pa pagesë nga Komuna e Prishtinës të moshave 25-50 vjeç, duke i prioritizuar rastet sociale, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda mjekësisë familjare në Prishtinë, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH (Kujdesit Parësor Shëndetësor) dhe KTSh (Kujdesit Tretësor Shëndetësor) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,” theksoi Dr. Arben Vitia, Drejtor i Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga Komuna e Prishtinës.

“Ndërtimi i një sistemi cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës është e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit,” shprehet prof.dr. Suzana Manxhuka-Kerliu, dekane dhe kryetare e Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit. Duke i falenderuar iniciatorët dhe mbështetësit e projektit, edhe Dr. Ramadan Sopa përfundoi fjalimin në emër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, duke ri-theksuar rëndësinë e këtij projekti kur dihet se kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i përhapuri tek gratë.

“Të gjitha gratë dhe vajzat nga Komuna e Prishtinës tani mund të kryejnë Pap-testet pa pagesë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare tek Qafa, Qendrën e Mjekësisë Familjare 5 në Ulpianë dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare 6 në Kodrën e Diellit dhe të gjitha materialet informuese tashmë ndodhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë ku mund të orientohen për termine,” shprehet Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Skriningu cervikal mundëson zbulimin e hershëm të qelizave jonormale dhe si rezultat trajtimin e suksesshëm të tyre. Procesi i skriningut është treguar shumë efektiv në zvogëlimin e numrit të rasteve me kancer të qafës së mitrës në shumë vende të botës.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, 700 for Science Foundation dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.