Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
10.06.2016
Kjo marrëveshje bashkëpunimi piloton skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prishtinës, si pjesë e programit nacional për kontrollin e kancerit.
Prishtinë 10 qershor 2016-
Jemi të gëzuar të ndajmë me ju lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës – departamentin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës mbi pilotimin e skriningut të kancerit të qafës së mitrës. Me rastin e marrëveshjes do të mundësohet pilotimi i skriningut në kuadër të nivelit primar të mjekësisë familjare në Prishtinë me qëllimin që ky pilotim të shërbejë si model në krijimin e programit nacional të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Kosovë.
Me rastin e pilotimit do të kontrollohen rreth 2,000 gra pa pagesë, nga Komuna e Prishtinës, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda mjekësisë familjare në Prishtinë, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të nivelit primar dhe atë terciar, duke qenë se Instituti i Patologjisë brenda QKUK-së është i vetmi laborator citologjik në Kosovë. Fushata e thirrjes për kontrolla do të lançohet ditët në vazhdim.
Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të mjekësisë familjare, palët synojnë poashtu që të inicojnë diskutime në mes të palëve dhe grupeve të interesuara me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore dhe e planifikuar me programin nacional për kontrollin e kancerit.
Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i përhapuri tek gratë. Skriningu cervikal mundëson zbulimin e hershëm të qelizave jonormale dhe si rezultat trajtimin e suksesshëm të tyre. Procesi i skriningut është treguar shumë efektiv në zvogëlimin e numrit të rasteve me kancer të qafës së mitrës në shumë vende të botës.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutti të Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, 700 for Science Foundation, Organizatës Botërore e Shëndetësisë – OBSH dhe Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA.