U mbajt punëtoria e radhës me stafin mjekësor në Ferizaj

Prishtinë, 17 dhjetor 2015-

Sot, më 17 dhjetor, u mbajt punëtoria e radhës me infermierët dhe mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, në kuadër të aktiviteteve të Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas.

Në këtë punëtori u bashkëbisedua për temat “Përgatitja psiqike dhe fizike për procesin e lindjes” si dhe “Rëndësia e gjidhënies.” Punëtoria kishte qëllim që të inkuarojë mjekët familjar dhe infermierët në angazhimin e tyre në edukimin e nënave rreth kujdesit antenatal dhe postnatal, edukim ky i bazuar në evidencë.

Punëtoria u drejtua nga stafi vullnetar i angazhuar në Qendrën Informuese për Shëndetin e Gruas. Kjo qendër promovon fuqizimin e rolit të gruas në procesin e shtatëzanisë, fuqizim ky që me rekomandimet botërore orienton shërbimet shëndetësore kah ato ku pacienti është në qendër të këtyre shërbimeve.

Në këtë punëtori sot na nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Dr. Genc Ymerhalili, Drejtor për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare të Kosovës, me ç’rast inkurajoi zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe angazhimin e stafit të mjekësisë familjare në edukimin shëndetësor.

Ju kujtojmë se aktivitetet e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas mbështeten nga Organizata Botërore e Shëndetësise, zyra në Prishtinë.