Fuqia e Gjidhënies në Qendër të Vëmendjes në Prishtinë 

Prishtinë, Kosovë – Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Komuna e Prishtinës ndërmorën sot një hap të rëndësishëm për të mbështetur më tej nënat në Kosovë që dëshirojnë të ushqejnë me gji, por përballen me sfida të ndryshme, duke inauguruar një mural që promovon këtë praktikë natyrale dhe të shëndetshme. Si AMC, ashtu edhe Komuna e Prishtinës mbeten të përkushtuara për të informuar dhe fuqizuar gratë përmes edukimit të bazuar në fakte dhe përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e ndërgjegjësimit.
Vepra e fuqishme artistike nga artistja Ermira Murati, e njohur si Orange Girl, paraqet një nënë duke ushqyer me gji foshnjën e saj dhe mund të shihet në hyrje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Me titullin “Gjidhënia: dashuri që ushqen, forcë që rrit”, murali u zbulua si pjesë e një projekti të organizuar nga AMC me rastin e Javës Botërore të Gjidhënies.
Java Botërore e Gjidhënies në Kosovë u shënua gjithashtu me aktivitete të ndryshme të udhëhequra nga La Leche League Kosova, Organizata e Studentëve të Mjekësisë së Kosovës dhe partnerë të tjerë.
“Edhe pse gjidhënia është instinkt është gjithashtu një aftësi që mësohet,” tha Drejtoresha Ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija. “Gjidhënja nuk ka kosto, por ndihmon foshnjat të rriten të shëndetshme, të forta dhe të dashura. Prandaj, si shoqëri, duhet të mbështesim nënat në të mësuarit dhe vazhdimin e këtij procesi jetik.”
Me rastin e Javës Botërore të Gjidhënies, Drejtori i Shëndetësisë, Dr. Izet Sadiku, njoftoi se bashkëpunimi me organizatën “Action for Mothers and Children” rezultoi në realizimin e një projekti të përbashkët, konkretisht muralit për promovimin e gjidhënies.
“Ai theksoi rëndësinë e avancimit të shërbimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës, duke përfshirë dhe rritur numrin e stafit shëndetësor në Kujdesin Parësor Shëndetësor për Vizitat në Shtëpi.”
“Kryetari i Komunës, Përparim Rama, përkrahu këtë inaugurim dhe vuri në pah rëndësinë e gjidhënies për shëndetin mendor dhe fizik të nënës dhe fëmijës, duke theksuar se ajo është një shtyllë themelore për një mirëqenie të qëndrueshme dhe të shëndetshme.”
Sipas Anketës MICS të vitit 2020, shkalla e ushqyerjes ekskluzive me gji te foshnjat nën gjashtë muaj në Kosovë ka rënë në 29 përqind, nga 40 përqind në vitet 2013–14, një rënie që thekson nevojën për ndërgjegjësim dhe mbështetje të re.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gjidhënia është një nga mënyrat më efektive për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e fëmijëve.” Sipas OBSH-së, “Gratë që ushqejnë me gji gjithashtu kanë rrezik më të ulët nga kanceri i gjirit dhe i vezoreve.”
Nën udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe me mbështetjen e UNICEF-it dhe Qeverisë së Luksemburgut, AMC po punon për të edukuar nënat e reja mbi rëndësinë e gjidhënies përmes klasave për prindërim të ofruara në kuadër të projektit Kujdesi në Grup për Prindërimin, si dhe përmes Programit të Vizitave në Shtëpi, ku infermieret ofrojnë vizita të rregullta në shtëpi për familjet gjatë tre viteve të para të jetës së fëmijës.
Falënderojmë Drejtorinë e Shëndetësisë, Drejtoria e Kulturës, Ndërmarrja Publike Banesore të cilat përkrahën këtë iniciativë të organizatës Action for Mothers and Children (AMC), si dhe artisten Ermira Murati, e cila realizoi me shumë përkushtim këtë mural.