Ky program udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë, implementohet nga stafi i kujdesit parësor shëndetësor, me mbështetje financiare të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA) dhe asistencë teknike nga AMC-ja. Qëllimi i programit është parandalimi i kancerit të qafës së mitrës dhe rritja e ndjeshme e normave të mbijetesës përmes zbulimit të hershëm.
Programi ofron PaP-teste falas për gratë e moshës 21–65 vjeç në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Obiliq dhe Gjilan. Deri më tani, mbi 20,000 gra dhe vajza kanë përfituar nga ky shërbim. Programi përfshin gjithashtu trajnime për profesionistët shëndetësorë mbi kryerjen e testimeve, si dhe ngritje të ndërgjegjësimit publik përmes ligjëratave edukative. Synimi afatgjatë për programin është zgjerimi në të gjitha komunat e Kosovës.