Vizita e parë në shtëpi në komunën e Suharekës

Programi i Vizitave në Shtëpi

Semetisht, Suharekë 2022

Kur Ilirjeta Bytqyqi ua hapi derën dy infermiereve së fundmi ishte një moment historik. Kjo ishte vizita e parë në shtëpi në komunën e Suharekës.
Programi i Vizitave në Shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës 0-3 vjeç, tashmë është zgjeruar në 34 nga 38 komunat në Kosovë dhe Suhareka është më e fundit që ka filluar së zbatuari programin.
Zonja Ilirjana Bytyqi jeton rreth pesë kilometra larg qytetit dhe ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë Amarin tetë muaj më parë.
“Kam qenë shumë e emocionuar kur linda fëmijën tim të parë, por edhe në lindjen e dytë kam përjetuar sërish emocione të tilla”, tha zonja Bytqyqi.
Ajo tha se lindja e saj e parë ishte më e vështirë sepse nuk kishte shumë informacione për kujdesin para lindjes. Ajo gjithashtu nuk kishte mjaftueshëm qumësht gjiri dhe kështu nuk mund ta ushqente me gji fëmijën e saj të parë.


Në kohën kur Amari lindi, ajo kishte fituar më shumë vetëbesim dhe kishte më shumë informacion për ushqimin dhe rritjen e shëndetshme të foshnjës. Amari ka lindur 3.5 kg dhe është ushqyer me gji që në ditën e parë.

Zonja Bytyqi tha se nëse do të kishte pasur informacione dhe këshilla për rëndësinë e ushqyerjes me gji nga infermieret e vizitave në shtëpi, do të ishte më e vendosur që të ushqente me gji edhe fëmijën e saj të parë.
Programi i Vizitave në shtëpi ofron shërbime të bazuara në shtëpi për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe për të ndërtuar besimin midis infermierëve, punonjësve socialë dhe komunitetit për një sistem më të mirë të mjekësisë familjare.

Gjatë vizitës së tyre të parë, infermieret në shtëpi kryen kontrollë rutinë tek Amari duke shikuar peshën, gjatësinë dhe lëvizjet motorike.
Vizitat në shtëpi ndihmojnë familjet të identifikojnë problemet e të porsalindurve, të cilat përfshijnë shenjat e sëmundjes ose anomalive, si dhe të mbështesin ushqyerjen me gji dhe vaksinimet.
Programi synon të përmirësojë aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor për familjet më të rrezikuara.

“Këshillat dhe informacionet janë shumë të rëndësishme për familjet, veçanërisht për ata që jetojnë larg qytetit dhe nuk kanë mundësi të shkojnë rregullisht në qendrat mjekësore familjare”, tha zonja Bytyqi.


Një nga infermieret që vizitoi znj. Bytyqi tha se ajo e vlerësoi mundësinë për të vënë në praktikë trajnimin e saj të fundit.“Ky trajnim ishte i ndryshëm nga të tjerët, sepse përveç përditësimit të njohurive tona për gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në tre vjeç, na dha mundësinë që të praktikojmë vizitat në shtëpi”, tha ajo.

Programi Vizitat në Shtëpi udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë, mbështetur nga UNICEF së bashku me Aksionin për Nënat dhe Fëmijë dhe me mbështetjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut.