
Tryezë e rrumbullakët mbi Shëndetin Riprodhues dhe të Drejtat Seksuale dhe trajnimet për ngritjen e kapaciteteve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
04.06.2024
U mbajt tryezë e rrumbullakët mbi Shëndetin Riprodhues dhe të Drejtat Seksuale dhe trajnimet për ngritjen e kapaciteteve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Në këtë tryezë morrën pjesë Dr. Visare Mujko Nimani, Shefe e zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Dr. Shaban Osmanaj, Divizioni i Kujdesit Parësor Shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë, Dr. Merita Vuthaj, Divizioni i Shëndetit të Nënës dhe Fëmijës, Ministria e Shëndetësisë Sevdije Spahiu, Drejtuese e Edukimit Shëndetësor në DMS dhe IKSHPK si dhe profesionistë shëndetësorë. Tryeza u moderua nga drejtorja e AMC-së znj. Rina Demiri Spahija.
Gjatë kësaj tryeze u bë prezantimi me temë “Ofrimi i Shërbimeve të Planifikimit Familjar në Kujdesin Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës, Ferizajt, Fushë Kosovës dhe Gjilanit” nga Dr. Zarife Miftari, Analiste për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues të të Rinjve në UNFPA.
Tryeza, e organizuar nga AMC në emër të koalicionit K10 me fokus në shëndetin riprodhues dhe të drejtat seksuale, u thellua në ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë përmes trajnimeve në kujdesin parësor shëndetësor që u prezantua nga Koordinatorja e K10 znj. Elvanda Gojani.
Pikat kryesore të diskutimeve përfshinin përgjegjësitë e profesionistëve të kujdesit shëndetësor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve përkatëse. Pjesëmarrësit theksuan domosdoshmërinë e përpjekjeve bashkëpunuese dhe efikase për të kapërcyer këto pengesa.
Rekomandimet që u nxorrën si pjesë e kësaj tryeze dhe diskutimi:
Zbatimi i trajnimeve: Zbatimi i trajnimeve për Shëndetin Riprodhues Seksual (SRH) duke i forcuar mekanizmat e llogaridhënies dhe raportimit.
– Koordinim i zgjeruar: Funksionalizimi i koordinimit ndërmjet institucioneve parësore shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Divizionit Farmaceutik në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
– Shfrytëzimi i të gjeturave të auditimit klinik: Zbatimi i rekomandimeve të dala nga auditimet klinike të kryera në pilot komunat, duke përfshirë Prishtinën, Ferizajn, Gjilanin dhe Fushë Kosovën.
Nëpërmjet zbatimit të këtyre rekomandimeve, palët e interesuara synojnë të forcojnë ofrimin e shërbimeve të planifikimit familjar brenda mjediseve të kujdesit parësor shëndetësor, duke nxitur kështu rezultate të përmirësuara të shëndetit riprodhues.

