Teshavesha fillon edhe me një shërbim të ri: qepje dhe riparime të teshave

Dyqanit të Teshavesha në sheshin Zahir Pajaziti, nga tash e tutje iu shtua edhe një shërbim mjaft i kërkuar nga klientët tanë: qepja dhe riparimi i teshave të përdorura. Kjo u mundësua falë mbështetjes së Raiffiesen Bank, me ç’rast ne e furnizuam dyqanin me pajisjet dhe materialet e nevojshme si dhe rekrutuam dhe trajnuam një punëtore për të filluar me këtë shërbim.

Dyqanet Teshavesha vizitohen nga mbi 200 persona çdo ditë që vijnë për të dhuruar ose për të blerë rroba. Të gjitha të hyrat nga Teshavesha investohen në programet e AMC-së të cilat kanë për qëllim që ta përmirësojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve. Përveç bamirësisë, Teshavesha kontribuon edhe në aftësimin dhe punësimin e grave.

Vlen të përmendet se ky është vetëm njëri ndër projektet e shumta të AMC-së që Raiffeisen Bank i ka mbështetur financiarisht. Me fonde të Raiffeisen Bank, ne hapëm edhe dy Qendra Informative për Shëndetin e Gruas në dy komuna të ndryshme, duke e rritur numrin e këtyre qendrave në 13. Mbi 300 fëmijë në vit dhe mbi 4,000 nëna përfitojnë nga këto qendra që ofrojnë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psikologjike, informacione të kujdesit para dhe pas lindjes, informacione mbi depresionin e paslindjes, gjidhënjen, kujdesin për të porsalindurit, ushqyerja e foshnjës dhe imunitetin.

Përvec kësaj, me ndihmën e Raiffeisen Bank, pajisjet Ehosonograph dhe Bilirubinometrisë iu dhuruan Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Këto pajisje janë përdorur për të siguruar një shërbim të ri për fëmijët në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë – ekosonografia bën të mundur diagnostikimin e shumë sëmundjeve tek foshnjat.

Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar kur vendi ynë u godit nga pandemia COVID-19, Raiffeisen Bank në bashkëpunim me AMC-në dhuroi donacione në QKUK në vlerë 18,591.01 euro, për të funksionalizuar sallën e lindjeve për gratë shtatzëna që ishin të infektuara me COVID-19.

Ne jemi jashtëzakonisht falënderues ndaj Raiffeisen Bank për të gjithë kontributin e vazhdueshëm ndaj misionit tonë dhe urojmë që Raiffeisen Bank të shërbejë si shembull edhe për korporatat e tjera të mëdha në vend.