Sot mirëpritëm në Prishtinë përfaqësuesit nga Ambasada e Australisë dhe Misioni Permanent në Vjenë

Prishtinë, 1 mars 2016-

Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në Prishtinë përfaqësuesit e Ambasadës së Australisë, Z. David Lewis, zëvendës-ambasadorin dhe Z. Richard Hozler-Remondi, zyrtarin për marrëdhënie bilaterale për një vizitë disa orëshe. Ne nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e Australisë në janar të këtij viti ku përmes programit të tyre të ndihmës do të mundësohet zgjerimi i shërbimeve të Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në një nga komunat jashtë Prishtinës.

Këto Qendra Informuese po punojnë tashmë në përmrësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës duke fuqizuar rolin e gruas në procesin e shtatëzanisë dhe vendim-marrje për procesin e lindjes. Fuqizimi i rolit të pacientit/klientit në vendimarrje, sipas rekomandimeve botërore dhe evidencës së fundit, orienton shërbimet shëndetësore kah ato ku pacienti është në qendër të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht përmirëson kualitetin e shërbimeve të ofruara.

Mbështetja nga Ambasada e Australisë mundëson zgjerimin e shërbimeve të Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas jashtë Prishtinës dhe ofron kështu qasje më të afërt të grave ndaj këtyre shërbimeve.