Shënohet dita ndërkombëtare e Kancerit- Unë mundem, ne mundemi!

Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Bordi Nacional per Kontroll të Kancerit për nder të ditës së Kancerit- 4 Shkurti, në mesin e prezantimeve ishte edhe prezantimi i programit të Skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prishtinës. Pilot projekti për skriningun e kancerit të qafës së mitrës filloi në vitin 2016, ku më pas u integrua si shërbim i rregullt në tri qendra te mjekësisë familjare në vitin 2017. Prezantimi i të dhënave dhe suksesit të këtij programi u bë nga koordinatori i programit të skriningut Dr. Erzen Begolli.

Projekti i skriningut po vazhdon të implementohet me sukses, ku nga viti 2016 deri tani mbi 3000 gra kanë bërë PAP testin.

Ky program, që njëkohësisht është një nga prioritetet e strategjisë sektoriale të shëndetësisë në Kosovë, u koordinua nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe u nis në saje të dedikimit dhe bashkëpunimit ndër-instituticional në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë, Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Anatomisë Patologjike pranë QKUK, Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr. 5 dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr.6 në Prishtinë, si dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Programi fillimisht dhe ne vazhdimësi u mbështet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.