Rreth 30 infermierë e mami përfitojnë nga trajnimi për aftësim profesional me eksperten nga Gjeorgjia

Prishtinë 6 qershor 2016-

Përfundoi trajnimi dy ditor për aftësim profesional me ekspertën nga Gjeorgjia për infermieret, mamitë, dhe mjekët familjar mbi komunikimin mjek-pacient dhe rëndësinë e fuqizimit të rolit të pacientit përmes këshillëdhënies dhe hapjes së Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas.

“Gjeorgjia dhe Kosova ndajnë sisteme dhe sfida të ngjashme në lidhje me shëndetin e nënës dhe fëmijës. Iniciativa e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas në Gjeorgji ka rezultuar në përmirësime të hatashme në shkallët e mbijetesës së nënave dhe foshnjeve, e gjitha kjo përmes informimit të grave shtatzëna dhe partnerëve të tyre rreth kujdesit para, gjatë shtatzanisë dhe pas lindjes” – tha Dr. Tinatin Gagua nga Gjeorgjia për pjesëmarrëset.

Në këtë trajnim morrën pjesë rreth 30 infermiere, mami dhe mjekë familjar nga Prishtina, Ferizaji, Shtërpca, Mitrovica (ku aktualisht operojnë Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas) si dhe Gjilani, Obiliqi, Prizreni, e Kacaniku (ku po planifikohet hapja e Qendrave Informuese). Dr. Tinatin poashtu adresoi personelin mjekësor nga QKUK, spitalet rajonale, Qendrat e Mjekësisë Familjare nga Kosova si dhe studentë të mjekësisë në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë së Kosovës me temën “Rruga drejt përmirësimit të shëndetit të nënës dhe fëmijës: mësime nga Gjeorgjia” dhe diskutoi mundësitë që Kosova mund të ndjek për të përmirësuar indikatorët e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

“Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas janë inicativë e fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe ofrojnë këshilla pa pagesë për gratë shtatzëna, nënat e reja dhe partnerët e tyre në një ambient të këndshëm dhome, ngjajshëm sikur ajo çfarë Gjeorgjia ka bërë. Tashmë ekzistojmë në 5 lokacione në mbarë Kosovën. Në këtë trajnim profesional mësuam nga përvojat e mira nëpër botë që edhe Kosova të ndjek rrugën e duhur drejt uljes së shkallës së vdekshmërisë”, shton Albiona Beha, përfaqësuese e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjeve. Një ndër shkaktarët e shumtë është edhe mungesa e informatave të mjaftueshme rreth ushqyeshmërisë, kujdesit para dhe pas lindjes, si dhe kujdesit ndaj foshnjes. Në Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas tashmë mbi 2,500 gra kanë marrë njohuri rreth kujdesit gjatë shtatzënisë dhe përgatitjes më të mirë për lindje. Informatat e bazuara në evidencë kanë treguar rezultate në ndryshime pozitive në shëndetin e nënës dhe fëmijës në shumë vende të botës. Këtë rrugë po e ndjek edhe Kosova përmes Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas.

Ky trajnim dhe kjo vizitë u bë i mundur falë mbështetjes nga Ambasada e Republikës Çeke në Kosovë dhe përkrahet nga Ministria e Shëndetësisë, Divizioni për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyra në Prishtinë.