Programi i ekzaminimit të Kancerit Cervikal do të fillojë shumë shpejtë në Kosovë
15.02.2015
Korrikun e kaluar, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka nënshkruar një Memorandum të Mirëkuptimit me Fondacionin 700 for Science, organizatë bamirëse me qendër në SHBA, e cila mbështetë shëndetin e grave dhe fëmijëve; Kompaninë Hologic – një nga zhvilluesit kryesor, prodhues dhe furnizues i produkteve diagnostike dhe produkteve kirurgjike; si dhe Spitalin Amerikan në Kosovë – një spital privat që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor, marrëveshje kjo që garanton krijimin e programit për Ekzaminimin e Kancerit të Qafës së Mitrës në Kosovë.
Si rezultat i këtij programi, gratë në Kosovë do të kenë çasje në një nga teknologjitë e detektimit dhe parandalimit më të avancuar të kancerit cervikal – citologjia me bazë likuide. Metoda e citologjisë bazuar në likuide për ekzaminim të kancerit të qafës së mitrës ka dëshmuar të jetë më efektive në detektimin e kancerit përshkak të përmirësimeve në cilësinë e mostrës, ndjeshmërinë, specifikat dhe aftësisë për të kryer testimin e refleksit molekular.
Projekti gjithashtu do të shërbejë edhe për hulumtimin e përhapjes së kancerit cervikal të grave në Kosovë, si dhe si të bëhet identifikimi dhe trajtimi i mëhershëm i kancerit.