Organizohet Trajnimi për “Doulas” për herë të parë në Kosovë

7 Dhjetor 2018, Prishtinë

Për herë të parë në Kosovë është organizuar trajnimi 2 ditor rreth “Doulas” ku morën pjesë mamitë dhe infermieret nga Klasat për Nëna të cilat operojnë në 9 qytete të Kosovës. Fasilitatore e këtij trajnimi ishte Poema Dauti. Përmes këtij trajnimi pjesëmarrëset patën mundësi të njihen me rolin e Doulas duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme emocionale, fizike, psikologjike dhe në të njëjtën kohë nënës i ofron informacione rreth procesit të lindjes dhe periudhës së paslindjes.

Doula është një person i trajnuar në mënyrë profesionale për të dhënë mbështetje në lindje, e cila ofron mbështetje të vazhdueshme emocionale, fizike dhe jo-mjekësore për gratë, andaj fokusi i saj është i orientuar nga pacienti. Ky term përshkruan një shoqëruese gjatë lindjes të trajnuar dhe me përvojë, e cila i ofron grave dhe bashkëshortëve apo partnerëve të tyre mbështetje të vazhdueshme emocionale, komfort fizik, një pikëpamje objektive dhe asistencë për gratë në marrjen e informacionit të nevojshëm për vendimmarrje para, gjatë dhe pas lindjes. Gjithashtu, lehtëson komunikimin mes gruas gjatë lindjes, partnerit të saj dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor.

Ky trajnim u mundësua falë partneritet me Canada Fund for Local Initiatives (CFLI).