Organizohet punëtoria ndërkombëtare WIC Health Policy Workshop në Prishtinë
27.09.2019
25 Shtator 2019, Prishtinë
Për herë të parë në Kosovë u organizua punëtoria ndërkombëtare dy ditore WIC Health Policy Workshop, punëtori kjo e cila u organizua nga Wennberg International Collaborative, Action for Mother and Children, Solidar Suisse Kosova dhe Kolegji Heimerer. Kjo punëtori u mbajt më 24 dhe 25 Shtator në Kolegjin Heimerer në Prishtinë ku mblodhi rreth vetes ekspertë të kujdesit shëndetësor, politikëbërës dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendi, rajoni dhe bota.
Hapja e kësaj punëtorie u bë nga David Goodman nga Wennberg International Collaborative (via Skype), Ilir Hoxha nga Solidar Suisse, George Little – këshilltar i Sistemit të Referrimit Neonatal dhe Stephanie Tomlin nga Wennberg International Collaborative. Përgjatë ditës së parë u prezantuan dhe diskutuan tema të ndryshme të ndara në katër sesione të ndryshme me fokus kujdesi perinatal dhe kujdesi ndaj të sapolindurve.
Kjo punëtori kishte tre objektiva kryesore: Të lejojë politikëbërësit, shoqërinë civile, grupet e avokimit dhe hulumtuesit në Kosovë dhe disa vende të tjera të Ballkanit (Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi) të diskutojnë se si të dhënat mund të përdoren në mënyrë efektive në procesin e hartimit të politikave; Për t’u mundësuar hulumtuesve nga Kosova dhe shteteve të tjera të Ballkanit të ndajnë punën e tyre me njëri tjetrin në mënyrë që të përdoren për të informuar vendimet e politikave; Të diskutohen dhe hartohen zgjidhje për çështjet më të ngutshme të politikave shëndetësore që lidhen me shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe punëtorët shëndetësor në Kosovë dhe rajon.
WIC Health Policy Workshop vazhdoi punimet në dytën e dytë me trajnimin me temën ‘Variacioni i Praktikave Mjekësore’ ku morren pjesë rreth 30 persona nga vendi dhe rajoni.