Një Hap Jetik për Kujdesin Neonatal në Kosovë: Fillimi i Shërbimit të Transportit Neonatal

 

Në vitin 2016, Action for Mothers and Children (AMC) identifikoi një nga sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor në Kosovë: mungesa e një Sistemi të Referimit Neonatal (NRS). Andaj, me vendosmëri AMC, nisi përpjekjet për të inicuar Sistemin Referues Neonatal në Kosovë.  Në një vend ku normat e vdekshmërisë neonatale janë ndër më të lartat në Evropë, foshnjat e porsalindura që përballen me gjendje kritike shpesh përballeshin me vështirësi të mëdha për të marrë kujdesin e specializuar që u nevojitej. Mungesa e mjeteve të specializuara të transportit e bënte këtë sfidë edhe më të madhe, duke i detyruar familjet të mbështeteshin në automjete private—një zgjidhje joadekuate dhe e rrezikshme për foshnjat e brishta që kishin nevojë për kujdes të menjëhershëm.

Që në fillim, AMC identifikoi këtë boshllëk kritik në sistemin shëndetësor dhe nisi avokimin afatgjatë për ta adresuar atë. Në bashkëpunim me Shkollën Mjekësore të Dartmouth-it, AMC organizoi trajnime për stafin mjekësor të Klinikës së Neonatologjisë në Kosovë në vitin 2017, duke shënuar fazën e parë të një plani gjithëpërfshirës për krijimin e një sistemi të ardhshëm të transportit neonatal. Sesionet e trajnimit, të facilituara nga ekipe eksperte të Dartmouth Hitchcock Medical Center, u zhvilluan gjatë vitit 2017. Ky moment vazhdoi edhe në vitin 2018, kur trajnimet me simulime u mbajtën në spitalet rajonale në Pejë, Gjakovë dhe Gjilan. Këto trajnime zgjeruan arritjet përtej kryeqytetit, duke krijuar një rrjet të stafit të kualifikuar mjekësor në rajone të ndryshme dhe duke ndërtuar kapacitetet e nevojshme për të siguruar një transport neonatal të sigurt dhe efektiv.

Në qendër të këtyre përpjekjeve ishte zhvillimi i Udhëzuesit për Transportin Neonatal, një dokument që përcaktoi protokollet për transferimin e sigurt të të porsalindurve në raste emergjente mjekësore. Ky udhëzues u hartua nga një grup punues me një kontribut të rëndësishëm nga Dr. Mynevere Hoxha, një neonatologe e shquar dhe një anëtare e vlefshme e komitetit mjekësor të AMC-së.

Megjithatë, pavarësisht këtyre avancimeve të konsiderueshme, realizimi i plotë i NRS mbeti i bllokuar për shkak të një elementi kyç që mungonte: ambulanca e dedikuar për transportin neonatal.

Vetëm në mars të vitit 2024, kur Ministria e Shëndetësisë siguroi këtë ambulancë, vizioni i plotë për sistemin e referimit filloi të marrë formë.

Ambulanca Neonatale, e pajisur me teknologji moderne për kujdesin e foshnjave, përfaqësoi një moment kyç drejt funskionalizimit të Sistemit të Referimit Neonatal.

Në një përpjekje përfundimtare për të vënë në funksion këtë iniciativë shumë të pritur, AMC, duke shfrytëzuar fondet e saj dhe me mbështetjen e Programit të Specialistëve Fulbright dhe Ministrisë së Shëndetësisë, solli në Kosovë dy ekspertë të njohur ndërkombëtarisht—Dr. George Little, një neonatolog me reputacion global, dhe Victoria Flanagan, një infermiere me përvojë të madhe në kujdesin neonatal.

Mbërritja e tyre shënoi një pikë kthese vendimtare, pasi ata zhvilluan një trajnim tre ditor intenziv për mjekët dhe infermierët nga njësitë neonatale të spitaleve rajonale, duke përcjellë njohuritë e specializuara të nevojshme për të menaxhuar transportin neonatal me ambulancën e re në shërbim.

Pas përfundimit të trajnimeve, Dr. Little dhe zonja Flanagan së bashku me AMC dhe drejtorin e Klinikës Neonatologjike kryen vizita në terren në spitalet rajonale për të vlerësuar përgatitjen e stafit dhe të pajisjeve, për të identifikuar mangësitë dhe për të dhënë udhëzime për të kapërcyer sfidat.

Këto vizita kishin për qëllim gjithashtu fuqizimin e stafit mjekësor, duke forcuar përkushtimin e tyre dhe duke nënvizuar rëndësinë kritike të Sistemit të Referimit Neonatal në përmirësimin e kujdesit neonatal në të gjithë rajonin.

Këto përpjekje të përbashkëta arritën kulmin më 11 dhjetor 2024, me nisjen zyrtare të Shërbimit të Transportit NeonatalQKUK respektivisht nga Klinika e Neonatologjisë. Ky shërbim, i cili tani mundëson transferimin e sigurt të foshnjave nga spitalet rajonale drejt QKUK-së, përfaqëson një arritje madhore për sistemin shëndetësor të Kosovës. Falë angazhimit të institucioneve, profesionistëve shëndetësor dhe mbështetjes së AMC-së, familjet më në fund kanë një zgjidhje të sigurt dhe të besueshme për foshnjat e tyre në gjendje kritike.

Ky sukses është rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar që filloi vite më parë dhe që sot bën të mundur shpëtimin e shumë jetëve të vogla. Sistemi i Referimit Neonatal është jo vetëm një arritje në infrastrukturën shëndetësore të Kosovës, por edhe një dëshmi e përkushtimit për të garantuar kujdes cilësor për më të vegjlit dhe më të brishtët e shoqërisë.

AMC mbetet e përkushtuar për një të ardhme ku asnjë jetë e të porsalindurve nuk rrezikohet për shkak të kufizimeve gjeografike apo mangësive të infrastrukturës.