Ngjarja për ngritje fondesh “Të vallëzojmë për nënat e fëmijët” mbledh €23,890.00

Prishtinë, 5 dhjetor 2015 –

Mbi 300 ishin pjesë e ngjarjes së vallëzimit “Të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët” që u mbajt me 3 dhjetor. Ngjarja u mbajt tek Sheshi 21 në Prishtinë dhe aty u mblodhën €23,890.00 nga shitja e biletave dhe sponsorizimet.

Në mesin e shumë personaliteteve nuk mungoi e para e vendit, Shkëlqesia e saj, Znj. Atifete Jahjaga.

Ngjarja e parë e vallëzimit e këtij lloji për qëllime të mbledhjes së fondeve u organizua nga Radio Dukagjini dhe Crimson Capital si mbështetje për Fondacionin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” që ofron shërbime të përkujdesit shëndetësor për nënat dhe fëmijët në Kosovë.

“Duke pasur parasysh rritjen e nevojës për ndihmë për nënat dhe fëmijët që përballen me sfida shëndetësore, Fondacioni vendosi të zgjerojë përpjekjet e veta dhe t’i bëjë apel zemërgjerësisë së njerëzve, duke dërguar dhe mesazhe pozitive në të njëjtën kohë,” tha Mrika Aliu, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit.

“Vetëm në tre vitet e fundit, me ndihmën e Fondacionit, Njësia e Kujdesit Intensiv Neonatal e ka ulur shkallën e vdekshmërisë së parakohshme foshnjore në rreth 10/1,000 sot. Ky është zhvillim i shkëlqyer. Tani, ky nivel mund të ulet edhe më tej, falë bujarisë së mbështetësve të shumtë”, tha Michael Gold, Drejtor Ekzekutiv i Crimson Capital, që është dhe sponsori platin i ngjarjes.

Darka e vallëzimit për mbledhjen e fondeve u mbështet me sponsorizime nga: Crimson Capital, Acibadem Hospital Group (si sponsorë platin), Komot shpk, Qendra Laserike e Syrit Kubati, Mjeshtri, NLB Prishtina, TEB Bank (si sponsorë të artë), KEIS, Cacttus (si sponsorë të argjendtë) dhe Black Eagle, Business Development Institute, Evolution Dance, Frutomania, Flutura Dedinja, KEP, LIV Hospital, Perla Events, Birra Prishtina, Palma, RC Cola, Rugove, Birra Sabaja, Vitaminka, Walker dhe VM3 (si sponsorë të tjerë) si dhe nga individë të shumtë që blenë bileta individuale. Kjo ngjarje dhe e gjithë fushata u mbështet nga Trembelat.

“Duam të falenderojmë të gjithë ata që dhanë mbështetjen e tyre, në një mënyrë apo në një tjetër” shton Zana Aqifi, si bashkë-organizatore e ngjarjes. “Përveç fondeve që mblodhëm për fondacionin Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, ishte kënaqësi për ne që ishim pjesë e grupit të njerëzve që janë të përkushtuar për t’u ndihmuar të tjerëve,” theksoi Aqifi.