Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e Republikës Çeke në Kosovë

Prishtinë, 7 mars 2016-

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Ambasada e Republikës Çeke në Kosovë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me të cilën mbështeten Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas. Kjo mbështetje më saktësisht mundëson trajnimin e motrave dhe mamive të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe spitaleve ku operojnë këto Qendra Informuese ashtu që të përmirësohen indikatorët e komunikimit mjek-pacient dhe këshillë-dhënies ndaj grave shtatzëna.

Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas tashmë po punojnë në 3 lokacione (dhe 2 duke u hapur) në përmrësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës duke fuqizuar rolin e gruas në procesin e shtatëzanisë dhe vendim-marrje për procesin e lindjes. Fuqizimi i rolit të pacientit/klientit në vendimarrje, sipas rekomandimeve botërore dhe evidencës së fundit, orienton shërbimet shëndetësore kah ato ku pacienti është në qendër të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht përmirëson kualitetin e shërbimeve të ofruara.